Të enjten u zhvillua në qytetin Boao të provincës Hainan të Kinës Jugore ceremonia e hapjes së mbledhjes vjetore të Forumit të Boaos për Azinë 2022, ku presidenti kinez Xi Jinping mbajti një videofjalim tematik, duke u bërë thirrje vendeve të ndryshme të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të përballur sfidat globale me anë të thellimit të bashkëpunimit.

Presidenti kinez Xi Jinping mbajti një videofjalim tematik në ceremoninë e 21 prillit(Foto: Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping mbajti një videofjalim tematik në ceremoninë e 21 prillit(Foto: Xinhua)

"Siç thotë një fjalë e urtë e lashtë kineze: ‘Askush nuk duhet ta ndryshojë përkushtimin ose të heqë dorë nga synimi i vet edhe përballë rrezikut e kërcënimeve’. Një rishikim i historisë njerëzore na mëson se, sa më të shumë vështirësohen gjërat, aq më e madhe është nevoja për forcimin e besimit. Nuk duhet të kemi frikë nga problemet, pasi kanë qenë problemet e njëpasnjëshme që i kanë dhënë shtysë përparimit të shoqërisë njerëzore, “ tha kreu shtetit kinez. Ai shtoi se, përballë sfidave të shumta, nuk duhet të humbasim besimin, të ngurrojmë a të sprapsemi, por duhet të forcojmë besimin dhe të ecim përpara.

Presidenti kinez vuri në dukje më tej se forca më e madhe që mund të na bëjë të çajmë errësirën e të shkojmë drejt dritës është solidariteti. Njerëzimi i takon së njëjtës bashkësi me fate të përbashkëta. Vendet e ndryshme duhet të ndjekin prirjes së epokës për paqe, zhvillim, bashkëpunim e përfitime të përbashkëta, duke bërë së bashku përpjekje për të përballur sfidat dhe për të çelur një të ardhme më të bukur, tha Xi.

Sipas tij, siguria është kusht paraprak i zhvillimit. “Faktet vërtetuan përsëri se mendësia e Luftës së Ftohtë vetëm sa do të prishë kornizën e paqes botërore, hegjemonizmi dhe politika e forcës vetëm sa do të rrezikojnë paqen botërore, ndërsa kundërvënia në grup vetëm sa do të acarojë sfidat e sigurisë në shekullin e 21-të,” shtoi ai.

Në fjalimin e tij, kreu i shtetit i Kinës shpalli edhe një nismë të sigurisë globale që përbëhet nga pikat në vijim:

- Duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj vizionit të sigurisë së përbashkët, të gjithëanshme, në bashkëpunim e të qëndrueshme dhe të punojmë së bashku për të ruajtur paqen e sigurinë botërore;

- Duhet të mbetemi të përkushtuar ndajrespektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, të mbështesim mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe respektojmë zgjedhjen e pavarur të rrugës së zhvillimit dhe sistemit shoqëror të bërë nga popujt e vendeve të ndryshme;

- Duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimeve e parimeve të Kartës së OKB-së, të hedhim poshtë mendësinë e Luftës së Ftohtë, të kundërshtojmë unilateralizmin dhe t’i themi “jo” politikës së grupeve dhe përballjes mes blloqeve;

Vend organizimi i Forumit Boao(Foto:VCG)

Vend organizimi i Forumit Boao(Foto:VCG)

- Duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj trajtimit serioz të shqetësimeve të ligjshme të sigurisë të të tëra vendeve, të mbështesim parimin e sigurisë së pandashme, të ndërtojmë një arkitekturë sigurie të ekuilibruar, të efektshme e të qëndrueshme dhe të kundërshtojmë synimin e sigurisë vetjake në kurriz të sigurisë së të tjerëve;

- Duhet të mbetemi të përkushtuar për zgjidhjen paqësore të dallimeve e të mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve nëpërmjet dialogut e konsultimeve, të mbështesim të tëra përpjekjet që ndihmojnë në zgjidhjen paqësore të krizave, të hedhim poshtë standardet e dyfishta dhe të kundërshtojmë përdorimin e tepruar të sanksioneve të njëanshme dhe të ashtuquajturin “juridiksion me krah të gjatë”;

- Duhet të mbetemi të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë si në fushat tradicionale, ashtu edhe në ato jotradicionale, e të punojmë së bashku lidhur me mosmarrëveshjet rajonale dhe sfidat globale si terrorizmi, ndryshimi klimatik, siguria kibernetike dhe biosiguria.

Sipas presidentit kinez, bashkësia ndërkombëtare është bërë si një aparat i ndërlikuar dhe i integruar, ku po të hiqet një pjesë, funksionimi i të gjithë aparatit do të hasë vështirësi të mëdha. “Po të ndodhë kështu, si viktimat, ashtu edhe autorët e një veprimi të tillë do të pësojnë humbje,” shtoi ai.

Në botën e tanishme, unilateralizmi dhe egozimi ekstrem nuk shkojnë, as shkëputja, ndërprerja e furnizimit e presionet e tepruara, as formimi i “qarqeve të vogla” dhe provokimi i kundërvënieve mbi bazën e ndryshimeve ideologjike. “Duhet të praktikojmë konceptin e qeverisjes globale me konsultim, ndërtim dhe ndarje të përbashkët të rezultateve, të promovojmë vlerat e përbashkëta të njerëzimit dhe të nxisim shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve të ndryshme. Duhet të zbatojmë multilateralizmin e vërtetë, duke mbrojtur me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe rendin botëror me ligjin ndërkombëtar në themel. Sidomos vendet e mëdha duhet të veprojnë si duhet për të mbrojtur barazinë, bashkëpunimin, mirëbesimin dhe sundimin e ligjit,” tha Xi Jinping.

Nënforum në zhvillim e sipër, Boao(Foto:VCG)

Nënforum në zhvillim e sipër, Boao(Foto:VCG)

Për sa i përket zhvillimit të Azisë, presidenti kinez bëri thirrje për mbrojtjen e paqes dhe nxitjen e bashkëpunimit e të solidaritetit rajonal, për të krijuar një “stabilizator” të paqes botërore dhe një “motor” të rritjes ekonomike.

“Ekonomia kineze ka rezistencë, mundësi e hapësira të mjaftueshme zhvillimi dhe prirja e zhvillimit të saj afatgjatë nuk do të ndryshojë. Kina është në gjendje të ofrojë një treg të madh dhe një energji të madhe për rigjallërimin e ekonomisë botërore. Pavarësisht çfarë ndryshimesh mund të ndodhin në botë, vullneti dhe besimi i Kinës te reformat dhe hapja nuk do të ndryshojnë. Kina do të vijojë rrugën e zhvillimit paqësor dhe do të jetë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese e zhvillimit global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar,” tha kreu i shtetit i Kinës në fjalimin e rastit në ceremoninë e hapjes së mbledhjes së Forumit të Boaos për Azinë për vitin 2022.(Zhang Yan/Artan)