Në orën 9:56 të paradites së të shtunës, kapsula e kthimit e anijes kozmike kineze “Shenzhou-13” me tre taikonautë u kthye në mënyrë të sigurt në Tokë, duke përfunduar misionin rekord 6-mujor në hapësirë.

Udhëtimi i ekuipazhit për në Tokë zgjati vetëm nëntë orë.

Në orën 00:44 të mëngjesit të asaj dite, anija kozmike kineze “Shenzhou-13”, e përbërë nga tre module: kapsula e kthimit, moduli orbital dhe moduli shtytës, u shkëput nga moduli kryesor “Tianhe” i stacionit hapësinor të Kinës, që orbiton rreth Tokës në një lartësi prej afro 400 kilometrash.

Në orën 09:06, kapsula e kthimit dhe moduli shtytës u ndanë nga moduli orbital.

Në orën 09:30, motori frenues i kapsulës së kthimit filloi të punojë për ta ngadalësuar atë, dhe më pas u nda nga moduli shtytës.

Pas afro 14 minutash u vendos parashuta e kapsulës së kthimit.

Në orën 9:56, kapsula e kthimit u ul me sukses dhe ekipi i marrjes së saj arriti në pikën e zbritjes.

Pas misionit të suksesshëm të anijes kozmike “Shenzhou-13”, do të fillojë ndërtimi i stacionit hapësinor kinez, i cili do të jetë i hapur për herë të parë në histori për të gjitha vendet anëtare të OKB-së. Deri tani, 9 projekte nga 23 organizata dhe 17 vende janë përzgjedhur në grupin e parë të eksperimenteve shkencore të stacionit hapësinor kinez. Drejtorja e Zyrës së Çështjeve të Hapësirës Kozmike të OKB-së Simonetta Di Pippo vlerësoi se stacioni hapësinor i Kinës është një pjesë përbërëse e rëndësishme e nismës së OKB-së "Hapësirë e përbashkët për botën", si edhe një "shembulli i shkëlqyer".

Përveç kësaj, shumë astronautë të vendeve të ndryshme kanë shprehur dëshirën për të punuar në stacionin hapsinor kinez. Astronauti gjerman Matthias Maurer tha se ai e ka mësuar gjuhën kineze për shumë vjet, "me shpresën për të shkuar në stacionin hapësinor kinez në të ardhmen". (Xu Guang)