Kongresi i 20-të Kombëtar i partisë në pushtet në Kinë do të mbahet në gjysmën e dytë të këtij viti. Ai është quajtur "një ngjarje e madhe në jetën politike të vendit" dhe ka tërhequr vëmendje të madhe brenda dhe jashtë Kinës. Pak ditë më parë, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës vendosi të nisë nga 15 prilli një aktivitet në internet për mbledhjen e opinioneve nga e gjithë shoqëria. Analistët përgjithësisht besojnë se ky është eksplorim për të praktikuar "demokracisë popullore në të gjithë procesin" të propozuar nga Partia Komuniste e Kinës .

Përmbajtja e opinioneve do të përfshijë tetë fusha, nga të cilat mund të shohim strukturën bazë të kuadrit të qeverisjes së PKK-së. Së pari, "qeverisja e partisë në mënyrë gjithëpërfshirëse e të rreptë", e cila përgjithësisht konsiderohet si "vetërevolucioni" më efektiv. Së dyti, "zhvillimi i ri", domethënë "kapja e fazës së re të zhvillimit, zbatimi i konceptit të ri të zhvillimit, ndërtimi i modelit të ri të zhvillimit dhe promovimi i zhvillimit me cilësi të lartë". Koncepti i ri i zhvillimit "inovativ, të bashkërenduar, të gjelbër, të hapur dhe me ndarje të përbashkët" në thelb është drejtimi kryesor për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kinës për të hyrë në fazën e përmirësimit. Së treti, "vazhdimi i thellimit të Reformës dhe Hapjes". Si përvoja bazë e rritjes ekonomike të Kinës në 40 vjetët e fundit, ky është konsensusi i përgjithshëm i partisë në pushtet dhe popullit, dhe thellimi i Reformës dhe Hapjes patjetër do të vazhdojë. Së katërti, mbledhja e opinioneve për demokracinë. Si lidhur me "vlerat thelbësore" të mbrojtura nga shoqëria kineze, ashtu edhe dizajni institucional i qeverisjes kombëtare, "demokracia" nuk është një koncept bosh në Kinë. Kinezët besojnë se demokracia nuk është model vetëm i Perëndimit. Praktika e demokracisë së stilit kinez ka të bëjë më shumë për "kërkimin e gjerë të opinioneve" dhe "krijimin e konsensusit".

Përveç kësaj, ky aktivitet i mbledhjes së sugjerimeve në internet përfshin gjithashtu tre fusha: zhvillimin e çështjeve kulturore, përmirësimin e jetesës dhe mirëqenies së njerëzve dhe forcimin e ndërtimit të qytetërimit ekologjik.

Mësohet se koha për mbledhjen e opinioneve në internet do të jetë nga 15 prilli deri më 16 maj. Gjatë një muaji, publiku mund të përdorë një sërë uebsajtesh mediatike ose aplikacione në celular, duke përfshirë të CMG-së, për të dhënë mendime dhe sugjerime, dhe departamentet përkatëse do të kryejnë përmbledhje e analiza për të ofruar referencë për qeverisjen kombëtare.(Çang Çuo)