Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping bëri të dielën pasdite një inspektim në qytetin Sanya të provincës Hainan të Kinës Jugore, duke vizituar Laboratorin e Farërave të Gjirit Yazhou dhe Institutin e Oqeanografisë pranë Universitetit Oqeanik të Kinës.

Hainan-i është një bazë e rëndësishme në Kinë për rritjen e farërave bujqësore. Në zonën e posaçme të farërave aty janë përfshirë afro 70 % e varieteteve të reja të farërave të Kinës. Laboratori i farërave që vizitoi Xi Jinping-u u krijua në maj 2021 dhe ka në fokus risitë dhe kërkimet lidhur me farërat, duke pasur arritje të reja në teknologjitë thelbësore, duke garantuar sigurinë e farërave dhe duke mbështetur zhvillimin inovativ dhe cilësor të sektorit kinez të farërave.

Provinca Hainan zotëron dy të tretat e territorit detar të Kinës dhe ka kushte të mira natyrore për hulumtimin dhe eksplorimin detar. Xi Jinping-u i kushton një rëndësi të madhe kthimit të Kinës në një fuqi detare dhe ka këshilluar që të nxiten shkencat oqeanike dhe që Hainan-i të shndërrohet në një provincë të fuqishme detare.

Instituti i Oqeanografisë që vizitoi Xi Jinping-u këtë herë, ka formuar sistemin më të madh në botë të vëzhgimit të integruar detar rajonal “Hapësirë - qiell - tokë - det”, që quhet Rrjeti i Vëzhgimit Stereoskopik të Detit të Kinës Jugore, dhe ka drejtuar ndërtimin e Qendrës së të Dhënave të Mëdha Oqeanike të Detit të Kinës Jugore, duke luajtur rol të rëndësishëm në sigurinë detare, eksplorimin e burimeve detare, parandalimin e fatkeqësive dhe ekonominë oqeanike.