Foto:VCG

Foto:VCG

Autoritetet vendore njoftuan në një konferencë shtypi të dielën që, qysh nga fillimi i valës së fundit të infektimeve nga COVID-19 në qytetin Shangai të Kinës Lindore, mbi 11 mijë veta kanë dalë nga spitali ose vëzhgimi mjekësor.

Inspektori i lartë i Komisionit Shëndetësor të Bashkisë së Shangait Wu Qianyu tha që këta njerëz nuk duhet të ndalohen të kthehen në shtëpi.

Të shtunën, Shangai raportoi afro 25 mijë infektime nga COVID-19 me burim të brendshëm.

220 627 veta janë konfirmuar si kontakte të afërta, 178 437 prej të cilëve janë të painfektuar, ndërsa të tjerët po presin rezultatin e testimit. Ndërkohë, mbi 110 mijë kontakte të afërta dytësore nuk janë të infektuar.

Zyrtarët vendorë konfirmuan që të dielën po mbërrinin në Shangai materialet e ndihmës mjekësore, duke përfshirë mbi 80 mijë njësi produktesh të kujdesit për foshnjat, mbi 100 mijë njësi ilaçesh dhe furnizimesh për kontrollin e pandemisë, dhe 10 tonë pambuk nga Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore.

Materialet që kërkohen më urgjentisht janë shpërndarë në familjet vendore dhe spitalet e përkohshme ku janë shtruar edhe fëmijë.

Sipas njoftimeve nga CMG-ja, materiale të tjera nga Jiangsu dhe Tibeti po transportohen për në Shangai.

Në konferencën e shtypit morën pjesë edhe përfaqësues të gjigantit të tregtisë elektronike "JD.com" dhe të kompanisë së dërgimit të ushqimeve "Ele.me", të cilët thanë që gjendja e vështirë po zbutet.

Zv.presidenti i "JD.com", Wang Wenbo, theksoi që kjo kompani po fokusohet te transporti i ushqimeve kryesore dhe i produkteve për foshnjat. Ndërsa zv.presidenti i "Ele.me" Xiao Shuixian tha që javën e kaluar kompania e tij mobilizoi mbi 2800 punëtorë dërgimi.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shërbimi i “kodit të acidit nukleik”, që hyri në funksonim të shtunën, kishte shumë kërkesa dhe kjo e ngadalësoi punën e tij. Zyrtarët bënë të ditur që ky shërbim ishte kthyer në gjendje normale në orën dy të pasdites së po asaj dite.

“Kulmi i kërkesave ishte 2 milionë për minutë,” u shpreh zv.drejtori i Qendrës së të Dhënave të Mëdha të Shangait Zhu Junwei. Ai bëri të ditur që “kemi nisur procedurat emergjente dhe kemi shtuar harduerët për zgjidhjen e problemit.”

Shumë të moshuar thanë që përdorimi i këtij kodi është i vështirë. Lidhur me këtë, Zhu u shpreh që anëtarët e familjes mund ta marrin kodin e të moshuarve me miratimin e këtyre të fundit dhe sistemi mund të verfikojë automatikisht marrëdhënien mes tyre.

Zërat që numrat e identitetit me X në fund nuk mund ta marrin kodin janë të pabazë.

Të huajt që sapo kanë rinovuar pasaportën mund të përdorin aplikacionin "Suishenban" për të riverifikuar identitetin e tyre dhe të marrin një kod të ri. (Jiang Lei)