Foto: VCG

Foto: VCG

Epidemia, konfliktet gjeopolitike, lojërat e fuqive të mëdha... faktorë të shumtë ndikojnë rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Në këtë sfond, Kina po zhvillon ekonominë reale, duke promovuar zhvillimin me cilësi të lartë me anë të risive, duke rritur bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit të zinxhirit global industrial e të furnizimit dhe duke i dhënë një shtysë të fortë zhvillimit të ekonomisë botërore.

Në linjën e prodhimit digjital të një kompanie të prodhimit të letrës në Shangai të Kinës, makineritë po kontrollojnë automatikisht kartonin e kualifikuar dhe ekrani tregon të dhënat e prodhimit në kohë reale.

Chen Jialin, menaxher i përgjithshëm i kësaj kompanie, thotë: "Pasi sistemi mbledh të dhënat, ne mund të dimë saktësisht konsumin ditor, punën e përdorur, tarifat e energjisë elektrike dhe taksat, në mënyrë që të kemi kontroll mbi koston."

Përveç kësaj, ky sistem digjital mund të thjeshtojë procesin e porositjes, të analizojë preferencat e klientëve etj. Deri në fund të vitit 2021, shkalla e kontrollit numerik të proceseve kryesore në ndërmarrjet industriale kineze arriti në 55.3 %, ndërsa niveli i depërtimit të mjeteve të kërkim-zhvillimit dhe projektimit digjital në 74.7%.

Nëpërmjet inovacionit teknologjik, mbështetjes financiare etj., Kina ka promovuar vazhdimisht zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë reale dhe rritja e qëndrueshme e ekonomisë kineze i ka dhënë forca ekonomisë globale për të dalë nga pasojat e epidemisë.

Cai Daolv, nga Shkolla e Biznesit e Universitetit Kombëtar të Singaporit, thotë: "Është një lajm shumë i mirë për ekonominë globale, sepse çel një shteg rimëkëmbjeje shumë të fortë, pasi Kina luan një rol qendror në zinxhirin e furnizimit."

Në fillimin e shpërthimit të epidemisë së koronavirusit të ri, në mbarë botën kishte mungesa të materialeve kundër epidemisë dhe ndërmarrjet kineze shpejtuan prodhimin për të plotësuar kërkesat brenda Kinës, por njëkohësisht edhe për të mbështetur luftën ndërkombëtare kundër epidemisë.

Emmanuel Mwamba, ish-Përfaqësues i Përhershëm në Bashkimin Afrikan, tha: "Mos harroni se, kur e gjithë bota ishte mbyllur, ne nuk kishim furnizime. Edhe po të kishe para, nuk mund të blije materiale për COVID-19. Dhe Kina ishte një nga vendet e para në botë që bëri dhurime për Afrikën."

Xiao Yaqing, ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit i Kinës, u shpreh se në vitin 2021, vlera e mallrave të eksportuara nga Kina u rrit 17.7 %, ndërsa shpejtësia mesatare e rritjes gjatë dy vjetëve ishte 8.3%, duke qenë përsëri relativisht e lartë për sa u përket viteve të fundit. Eksporti i produkteve industriale të Kinës dha kontribut të rëndësishëm për të përballuar epideminë, për të ruajtur qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të industrisë e furnizimit, si edhe për të nxitur rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe industriale botërore.

Përveç kësaj, Kina gjithashtu i përmbahet konceptit të "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" dhe të ndërtimit e të ndarjes së fryteve me vendet e tjera. Në kryeqytetin e Bangladeshit Dakë sivjet pritet të përurohet ura "Padma", që po ndërtohet nga Kina. Prej saj do të përfitojnë më shumë se 80 milionë veta dhe ajo quhet si "Ura e ëndrrave" nga banorët vendorë.

Mohadi, inxhinier urash në Projektin e Urës Shumëfunksionale "Padma", thekson: "Falënderoj Kinën për ndërtimin e një ure kaq të vështirë në Bangladesh. Shpresoj që kjo urë të përfundojë së ndërtuari sa më shpejt, për të sjellë lehtësi për popullin bangladeshas." (Çang Çuo)