Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Kryeministri kinez Li Keqiang ka bërë thirrje për përpjekje për të ekuilibruar reagimin ndaj epidemisë me zhvillimin ekonomik e shoqëror, duke vënë në dukje që situata e ndërlikuar globale dhe rishfaqjet e epidemisë së COVID-19 brenda Kinës kanë sjellë pasiguri e sfida më të mëdha për stabilitetin ekonomik.

Li, gjithashtu anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto gjatë kryesimit të një simpoziumi të enjten mbi gjendjen ekonomike, ku morën pjesë ekonomistë dhe sipërmarrës.

Kreu i qeverisë kineze theksoi rëndësinë e përpjekjeve për të mbajtur të qëndrueshme bazat e ekonomisë dhe për të siguruar që ajo të funksionojë brenda diapazonit të duhur.

Pjesëmarrësit dhanë sugjerime mbi makropolitikat, promovimin e logjistikës dhe të transportit, sigurimin e furnizimit bujqësor dhe nxitjen e inovacionit të ndërmarrjeve.

Kryeministri kinez tha se subjektet e tregut shërbejnë si një bazë e rëndësishme për stabilizimin e ekonomisë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ai shtoi se çelësi për ta mbajtur ekonominë e vendit në një nivel të përshtatshëm është stabilizimi i punësimit dhe çmimeve.

Duke vënë në dukje se disa subjekte tregu po përballen me trysni më të mëdha, Li Keqiang-u theksoi se duhet të merren masa të tilla si lehtësimi i rimbursimit të kredisë së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSh) për të ndihmuar ndërmarrjet më të vogla të përballojnë vështirësitë.

Kina shpalli në mars se do të zbatonte rimbursime të kredisë së TVSh-së me vlerë 1.5 trilion juanë (235.56 miliardë dollarë) për të mbështetur subjektet e tregut.

Lidhur me nxitjen e punësimit, Li foli për rëndësinë e përmirësimit të shërbimeve të punësimit për të diplomuarit e universiteteve dhe për inkurajimin e krijimit të bizneseve.

Për sa i përket stabilizimit të çmimeve, kryeministri tha se Kina duhet të bëjë më shumë përpjekje në fusha kyçe, si prodhimi i drithërave, furnizimi me energji, operacionet logjistike etj.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ai kërkoi marrjen e masave me objektiv më të qartë, duke përfshirë promovimin e bujqësisë pranverore, mbështetjen e kompanive të qymyrit e të centraleve elektrike për të prodhuar më shumë energji elektrike dhe garantimin e funksionimit të rregullt të rrjeteve kryesore të transportit.

Gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave, të gjitha llojet e ndërmarrjeve duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, duhet të dëgjohet zëri i tyre dhe duhet të vihen më mirë në jetë pritshmëritë e tregut, tha kryeministri Li.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas tij, përpjekje duhet të bëhen edhe për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të ekonomisë së platformës dhe t'u jepet më shumë mbështetje sektorëve të lidhur me konsumin, si shitja me pakicë, shërbimet ushqimore dhe turizmi, për të ndihmuar në lehtësimin e vështirësive.

Për të përballuar në mënyrë efektive pasiguritë e jashtme, Li bëri thirrje për zgjerimin e hapjes së nivelit të lartë, stabilizimin e tregtisë së jashtme e të investimeve të huaja dhe ruajtjen e kursit përgjithësisht të qëndrueshëm të këmbimit të monedhës kineze renminbi. (Çang Çuo)