Foto:VCG

Foto:VCG

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim të premten në një ceremoni vlerësimi për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të Pekinit 2022, duke shpallur që Kina ka mbajtur në mënyrë të gjithanshme premtimet solemne ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke ofruar një olimpiadë dhe paralimpiadë “të thjeshtë, të sigurt dhe të shkëlqyer”.

Në fjalën e tij Xi përmblodhi përvojën e Kinës në organizimin e olimpiadave, duke shtjelluar shpirtin e Lojërave Dimërore të Pekinit, çka ka thelluar njohjen nga bota të zhvillimit të suksesshëm nga Kina të Lojërave Olimpike e Lojërave Paralimpike Dimërore, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

“Zhvillimi i mbarë është sukses”. Si veprimtaritë e para globale sportive që zhvillohen sipas planit pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit kanë pasur përgatitje të plotë e zhvillim të suksesshëm dhe kanë fituar vlerësime pozitive nga sportistët dhe bashkësia ndërkombëtare, duke shënuar rekord të ri për shikueshmërinë globale. Kjo është një mrekulli në historinë olimpike dhe i ka sjellë besim e fuqi botës së goditur nga pandemia.

Cili është sekreti i arritjes së kësaj mrekullie nga Kina? Kyçi i suksesit është shpirti i Lojërave Dimërore të Pekinit, të përmbledhura në fjalët e Xi Jinping-ut: “Vizioni i gjerë, vetëbesimi, hapja, guximi para vështirësive, dëshira për të shkëlqyer dhe ëndrra për të ardhmen e përbashkët”.

Njerëzit jetojnë në të njëjtin planet dhe fatet e tyre janë të lidhura ngushtë. Përpara sfidave globale, vetëm shtimi i bashkëpunimit do të sjellë një të nesërme më të bukur. “Faktet tregojnë sërish që populli kinez jo vetëm që ka vullnetin dhe vendosmërinë për të dhënë ndihmesë në çuarjen përpara të lëvizjes olimpike dhe nxitjen e solidaritetit e të miqësisë mes popujve të mbarë botës, por gjithashtu ka aftësinë dhe entuziazmin për të dhënë kontribute edhe më të mëdha!”, tha presidenti Xi.