Kina mirëpret çdo nismë globale brenda kornizave përkatëse për të shqyrtuar dokumentet e zbuluara në lidhje me veprimtaritë ushtarake biologjike të ShBA-së, theksoi të mërkurën Dai Bing, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.

Ai i tha këto gjatë mbledhjes së "Formulës Arria" të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sigurinë biologjike, kur komentoi mbi disa dokumente që lidhen me aktivitetet bioushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Dokumentet u publikuan nga Federata Ruse dhe shkaktuan shqetësim të madh te bashkësia ndërkombëtare.

"Kina e mirëpret që bashkësia ndërkombëtare të shqyrtojë dokumentet e zbuluara brenda mekanizmave të duhur, përfshirë Konventën e Armëve Biologjike dhe OKB-në, dhe të dëgjojë sqarimet e vendit përkatës në mënyrë të drejtë dhe të paanshme," tha Dai.

Ai vuri në dukje se Kina ka vuajtur nga armët biologjike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kështu nxit vazhdimisht ndalimin dhe shkatërrimin e plotë të të gjitha armëve të shkatërrimit në masë, përfshirë armët biologjike dhe kimike.

"Kina kundërshton me vendosmëri zhvillimin, grumbullimin ose përdorimin e armëve biologjike e kimike prej çfarëdo vendi e në çfarëdo rrethane dhe u kërkon vendeve që nuk e kanë bërë këtë të shkatërrojnë rezervat e tyre të armëve kimike sa më shpejt të jetë e mundur," tha ai.

Uashingtoni po krijon laboratorë biologjikë në vende të ndryshme dhe po i lidh ato me një sistem të unifikuar, u shpreh Igor Kirillov, shefi i Forcave të Mbrojtjes prej Rrezatimit, Armëve Kimike dhe Biologjike të Forcave të Armatosura Ruse, i cili mori pjesë virtualisht në mbledhje.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po forcojnë potencialin e tyre bioushtarak në rajone të ndryshme të botës, duke përfituar nga mangësitë në ligjin ndërkombëtar.