"Kina dhe Evropa duhet të jenë dy forca kryesore për mbrojtjen e paqes së botës, që të përballojmë pasigurinë e situatës ndërkombëtare me qëndrueshmërinë e marrëdhënieve kino-evropiane." Këto i tha të premten presidenti i Kinës Xi Jinping gjatë videotakimit me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

CMG

CMG

Ky ishte videotakimi i dytë gjatë dy vjetëve midis liderëve të të palëve dhe ishte një shkëmbim i thellë, i hapur dhe i sinqertë mendimesh. Të dyja palët nxitën jo vetëm njohjen e ndërsjellë, por arritën konsensus në shumë çështje, duke i lëshuar botës sinjalin e rëndësishëm për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e paqes botërore dhe nxitjen e zhvillimit. Në kohën e tanishme, kur janë ndërthurur pandemia COVID-19 dhe konfliktet rajonale, një sinjal i tillë është jetik dhe përbën kundërpërgjigje efektive për "pasigurinë" e botës.

Paqja është prapakushti i zhvillimit. Për krizën e Ukrainës, Kina dhe Evropa synojnë paqen, ndërsa zgjidhja paqësore e kësaj krize përputhet me interesat thelbësore të Evropës. Gjatë këtij videotakimi, Xi paraqiti një propozim prej katër pikash mbi krizën në Ukrainë, duke theksuar përpjekjet për paqe e nxitjen e bisedimeve, parandalimin e përshkallëzimit të krizës humanitare, krijimin e paqes afatgjatë në kontinentin euroaziatik dhe parandalimin e zgjerimit të konfliktit.

Këto katër pika mishërojnë qëndrimin konsekuent të palës kineze në problemin e Ukrainës, me synimin jo vetëm për të arritur armëpushimin në konfliktin e tanishëm, por edhe sigurinë afatgjatë në Evropë, si dhe stabilitetin e botës. "Krizën e Ukrainës duhet ta trajtojmë në mënyrë urgjente, por jo të verbër. Gjatë zgjidhjes së këtij problemi, duhet të marrim parasysh edhe aspekte të tjera, duhet të mos e lidhim mbarë botën me këtë problem dhe duhet të shmangim që banorët e thjeshtë të vendeve të ndryshme të paguajnë rëndë për këtë." Këto shprehje të presidentit të Kinës mishërojnë përgjegjësinë e liderit të një vendi të madh, si dhe shqetësimin e tij për jetën e njerëzve të thjeshtë.

Si dy tregje kryesore globale, hapja e ndërsjellë dhe bashkëpunimi ndërmjet Kinës e Evropës do t'i sjellë më shumë faktorë sigurie rimëkëmbjes së ekonomisë botërore. Në vitin 2020, Kina u bë për herë të parë partnerja më e madhe tregtare e BE-së. Vjet, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit ndërmjet Kinës dhe BE-së i kaloi 828 miliardë dollarët amerikanë, duke u shtuar 27.5 për qind në krahasim me vitin 2020 dhe duke shënuar rekord historik. Sipas "Sondazhit mbi besimin e biznesit 2021" të publikuar nga Dhoma e Tregtisë e BE-së në Kinë, 68 për qind e ndërmarrjeve të BE-së në Kinë janë optimiste për rritjen e biznesit, një shifër kjo 20 për qind më shumë në krahasim me vitin 2020. Ashtu siç vunë në dukje udhëheqësit e BE-së, "prej kohësh marrëdhëniet evropiano-kineze kanë qenë me leverdi të ndërsjellë dhe përfitime të përbashkëta."

CMG

CMG

Gjatë këtij videotakimi, pala kineze shprehu vendosmërinë për thellimin e reformës e zgjerimin e hapjes, duke mirëpritur kompanitë evropiane për investime në Kinë. Njëkohësisht, Pekini shpreson se Brukseli do t'u ofrojë ndërmarrjeve kineze në Evropë një mjedis biznesi të barabartë, transparent dhe jodiskriminues, gjë që do të jetë në favor të shtimit të bashkëpunimit kino-evropian në fushat ekonomiko-tregtare, të investimeve, energjetikës, zhvillimit të gjelbër etj., duke nxitur më tej rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Për propozimet e presidentit Xi, liderët evropianë dhanë përgjigje pozitive dhe thanë se janë të gatshëm të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me palën kineze, për të dhënë kontribut për nxitjen e paqes botërore, rritjen ekonomike dhe lulëzimin e përbashkët. Në problemin e Ukrainës, Kina dhe Evropa arritën unanimitetin e rëndësishëm që të këmbëngulin në paqen e dialogun për zgjidhjen diplomatike. Ndërkohë, të dyja palët u shprehën se do të parandalojnë bashkërisht një Luftë të Ftohtë të re, përçarjen e botës dhe kundërvënien midis blloqeve.

Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës thuhet se, për zbatimin e konsensusit, është e domosdoshme që Evropa të ngulë këmbë në pavarësinë strategjike. Gjatë videotakimit, presidenti Xi përmendi disa herë fjalën "pavarësi": "Shpresojmë se pala evropiane do të formojë një njohje të pavarur lidhur me Kinën dhe do të ndjekë një politikë të pavarur ndaj Kinës". Në fakt, pavarësia strategjike ka qenë synimi i Evropës, por sanksionet e njëpasnjëshme të vendosura nga ShBA-ja duke shfrytëzuar krizën e Ukrainës e kanë dëmtuar Evropën dhe kanë frenuar procesin e pavarësisë strategjike të saj. Evropa duhet të niset nga interesat e veta dhe të dallojë të drejtën nga e gabuara, duke u shmangur nga imponimi e rrëmbimi që i ka bërë pala amerikane, që të krijojë së bashku me palën kineze më shumë faktorë të qëndrueshëm për botën, thekson CMG-ja. (Wang Lei/ Artan)