VCG

VCG

Për të zbatuar udhëzimet e rëndësishme të presidentit kinez Xi Jinping, një telekonferencë kombëtare mbi sigurinë në vendin e punës u mbajt së fundmi në Pekin, për të marrë masa për mbajtjen e plotë të përgjegjësive të sigurisë dhe përmirësimin e gjithanshëm të sigurisë në vendin e punës.

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) i ka kushtuar rëndësi të madhe rrëzimit të avionit të fluturimit MU5735 të kompanisë ajrore “China Eastern Airlines”. Presidenti Xi Jinping, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, dha udhëzime të rëndësishme, duke kërkuar që të bëhen përpjekje të gjithanshme në punët e kërkim-shpëtimit dhe të trajtimit të pasojave. Xi dërgoi drejtues nga Këshilli i Shtetit në Wuzhou të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang, për të udhëhequr punën e shpëtimit, dha udhëzime për sigurinë në punë më 24 mars dhe dëgjoi një raport mbi trajtimin e rrëzimit të avionit në një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror më 31 mars, ku ai mbajti një fjalim dhe ku u planifikua puna vijuese.

Në udhëzimet e tij më 24 mars, Xi vuri në dukje që kohët e fundit kanë ndodhur shpesh aksidente në sektorët e transportit, ndërtimit dhe minierave. Rrëzimi i avionit të fluturimit MU5735 në veçanti u ra këmbanave të alarmit për sigurinë në vendin e punës.

Kreu i shtetit kinez theksoi se komitetet e partisë dhe organet e pushtetit të të gjitha niveleve duhet të mbajnë përgjegjësi të barabartë në lidhje me sigurinë në punë dhe të gjithë zyrtarët duhet të përmbushin detyrat e të garantojnë sigurinë në punë. Ai gjithashtu theksoi nevojën për menaxhim të përbashkët dhe që të vihen para përgjegjësisë ata që lënë pas dore detyrat e tyre. Sektorët, organet e pushtetit dhe ndërmarrjet duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë për sigurinë në vendin e punës. Komitetet e partive dhe organet e pushtetit në të gjitha nivelet duhet të veprojnë sipas filozofisë së zhvillimit të përqendruar te njerëzit, të vënë gjithmonë njerëzit dhe jetën e tyre në plan të parë dhe të kenë një qasje tërësore ndaj zhvillimit e sigurisë. Ata duhet të mbajnë gjithmonë një nivel të lartë vigjilence “sikur shkelin mbi akull të hollë” për të konsoliduar sigurinë në vendin e punës, dhe duhet të tregojnë gjithmonë vëmendje për këtë çështje.

Në udhëzimet e tij, kryeministri kinez Li Keqiang vuri në dukje që gjendja e tanishme e sigurisë në vendin e punës është ende komplekse dhe e rëndë. Të gjitha autoritetet vendore e departamentet përkatëse duhet të zbatojnë plotësisht vendimet dhe udhëzimet e Komitetit Qendror të PKK-së dhe Këshillit të Shtetit, të vënë gjithmonë njerëzit dhe jetën e tyre në plan të parë, të bashkërendojnë zhvillimin e sigurinë dhe të garantojnë që të mos ketë mungesë përgjegjësie dhe që masat të zbatohen në mënyrë efektive, që të parandalohen aksidente të mëdha e të rënda. (Artan)