Në 23-vjetorin e fillimit të 78 ditëve të bombardimeve të Jugosllavisë nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), u organizua një samit i liderëve të kësaj organizate, ku u diskutua çështja e Ukrainës. “A kanë menduar ndonjëherë ShBA-ja dhe NATO-ja për shkakun themelor të krizës në Ukrainë? Çfarë përgjegjësish duhet të marrin ato?” pyeti zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbing në një konferencë shtypi të premten.

"Popujt e Serbisë, Kinës dhe të gjithë botës nuk do të harrojnë bombardimet e NATO-s në Serbi në vitin 1999," tha ai.

Wang e bëri këtë koment në përgjigje të deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç se agresioni i NATO-s në Serbi në vitin 1999 ishte i paligjshëm, i tmerrshëm e joetik, ndërsa akuzat e tyre kundër Rusisë tani janë të turpshme dhe budallaqe.

Pa asnjë miratim prej OKB-së, NATO-ja e drejtuar nga ShBA-ja filloi bombardimet në Jugosllavi më 24 mars të vitit 1999, në një shkelje serioze të konventave ndërkombëtare përkatëse dhe normave themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Agresioni i 78 ditëve vrau mijëra banorë të pafajshëm, duke përfshirë tre gazetarë kinezë, si edhe dëmtoi rëndë infrastrukturën mjekësore, reliktet historike dhe shkollat e vendit, tha zëdhënësi.

Gjatë këtyre operacioneve, përveç 12 000 bombardimeve dhe lëshimit të 3 000 raketave, NATO-ja përdori edhe uranium të varfëruar, një produkt i mbetur nga procesi i pasurimit të uraniumit-235 i ndaluar nga konventat ndërkombëtare, i cili shkaktoi efekte negative afatgjata në mjedisin dhe shëndetin publik në Serbi, tha Wang.

Ai shtoi që, nëse nuk reflektojnë mbi krimet e tyre në Serbi, Irak dhe Afganistan, ShBA-ja dhe NATO-ja nuk kanë të drejtë të gjykojnë asnjë vend mbi baza morale.

Si një produkt i Luftës së Ftohtë, NATO-ja nuk e ka shtuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në botë, dhe njerëzit që e duan vërtet paqen do t’i thonë “jo” zgjerimit të NATO-s, shtoi ai.