23 marsi është Dita Botërore e Meteorologjisë, që sivjet ka si temë "Paralajmërim i hershëm dhe veprim i hershëm". Me këtë rast, Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM) paralajmëroi se rastet e motit ekstrem dhe incidentet klimatike në vende të ndryshme të botës kanë qenë gjithnjë e më të shpeshta e më të rënda, ndërsa njeriu është prekur gjithnjë e më shumë nga fatkeqësitë natyrore që lidhen me këto dukuri.

Ditët e fundit, një numër i madh mediesh njoftuan se shumë meteorologë të vendeve të ndryshme kanë vrojtuar mot me temperatura të larta në të dyja polet e Tokës, dhe në disa zona temperatura arriti 30-40 gradë celsius më shumë se niveli mesatar i së njëjtës periudhë në vitet e kaluara.

Lidhur me këtë, gjatë një interviste ditët e fundit për Grupin Mediatik të Kinës, kryeeksperti i shërbimeve klimatike i Drejtorisë Kombëtare të Meteorologjisë të Kinës Zhou Bing tha se kjo dukuri lëshon një sinjal të rëndësishëm që sistemi klimatik në zonat polare është bërë më i paqëndrueshëm dhe problemi i ngrohjes globale është bërë më serioz.

"Sipas vëzhgimit të fundit, sfera e akullit detar në Antarktik u zvogëlua në nivelin minimal historik në shkurt të këtij viti, ndërsa në marsin e sivjetshëm, edhe akulli detar në Arktik u pakësua në pikën minimale në histori. Kjo do të thotë se sipërfaqja e akullit detar që mbulon Antarktikun dhe Arktikun është më e vogël që pas vitit 1979, kur filloi vëzhgimi me satelitë," shpjegoi eksperti kinez.

foto nga VCG

foto nga VCG

Sipas tij, ngritja e shpejtë e temperaturës në pole është alarm për sistemin klimatik të Tokës. Krahas pasojave si shkrirja e akullnajave e ngritja e nivelit të detit, kjo dukuri mund të shkaktojë ndryshime të mëtejshme, si ndryshimi i shpërndarjes së reshjeve, acidifikimi i oqeaneve, rrymat e ngrohta, reshjet e fuqishme, thatësira, ciklonet tropikale etj. Të gjitha këto shtojnë sfidat serioze përpara të cilave ndodhet njerëzimi.

Sipas një raporti të Komitetit të Posaçëm Ndërqeveritar mbi Ndryshimin e Klimës pranë OKB-së, 50 vjetët pas vitit 1970 ishin gjysmëshekulli më i ngrohtë gjatë 2 mijë vjetëve të fundit në Tokë. Në raport shprehet mendimi se "ngrohja e klimës e ka nxitur ekosistemin e Tokës në kufirin ekstrem të ekzistencës së njeriut".

Lidhur me këtë, Zhou Bing tha se përballimi i ndryshimit klimatik global ndodhet në një çast shumë urgjent, megjithatë, veprimet e njeriut ka mundësi të përcaktojnë prirjen e klimës në të ardhmen. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërkombëtar do të luajë një rol jetik.

"Veçanërisht pas Konferencës së 26-të Ndërkombëtare të OKB-së mbi Ndryshimin e Klimës (COP26), vendet e zhvilluara duhet të konkretizojnë sa më shpejt premtimin e tyre për t'u dhënë vendeve në zhvillim një ndihmë prej 100 miliardë dollarësh amerikanë në vit, si dhe ndihma përkatëse për përballimin e ndryshimit të klimës, në mënyrë që vendet në zhvillim të japin ndihmesën e tyre në përmirësimin e strukturës energjetike dhe në ngritjen e efektivitetit të përdorimit të energjisë," theksoi eksperti kinez.

Zhou vuri në dukje në fund të intervistës se vendet e ndryshme duhet të shtojnë edhe bashkëpunimin teknologjik, për të kontrolluar ose për të rregulluar ritmet e ngrohjes globale dhe të ngritjes së temperaturave në Tokë. (Wang Lei/ Artan)