Foto:VCG

Foto:VCG

Ligjvënësi më i lartë i Kinës, Li Zhanshu, në një bisedë video me kryetarin e parlamentit kroat Gordan Jandrokoviç, bëri thirrje për forcimin e shkëmbimeve mes dy vendeve.

Li, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Kombëtar, tha se Kina dhe Kroacia kanë respektuar dhe kuptuar prej kohësh njëra-tjetrën dhe marrëdhëniet e tyre dypalëshe kanë ruajtur një zhvillim të nivelit të lartë dhe cilësor.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së lidhjeve diplomatike midis Kinës dhe Kroacisë, Li tha se Kina është e gatshme të bëjë përpjekje të përbashkëta me Kroacinë për të shtyrë partneritetin e tyre gjithëpërfshirës bashkëpunues në një nivel të ri dhe për të sjellë më shumë përfitime për të dy vendet dhe popujt, bën të ditur “Xinhua”.

"Ne duhet të rrisim besimin e ndërsjellë politik dhe të respektojmë interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit", -tha Li, duke shtuar se Kina i shikon gjithmonë marrëdhëniet e saj me Kroacinë nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë. Ai bëri thirrje që të dyja palët të promovojnë bashkëpunimin praktik, të krijojnë pika të reja bashkëpunimi në ndërtimin e infrastrukturës, inovacionet shkencore dhe teknologjike, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mbrojtjen e mjedisit dhe fusha të tjera, si dhe të promovojnë ndërtimin e përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë” për përfitim reciprok dhe rezultate të favorshme.

Jandrokoviç tha se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kroacisë dhe Kinës kanë konotacione të pasura dhe vazhdimisht kanë bërë përparime të reja. Ai falënderoi Kinën për mbështetjen e saj në luftimin e Covid 19 dhe sfidave të tjera, duke shtuar se Kroacia është e gatshme të luajë një rol aktiv në promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve BE-Kinë.