Foto: Visual People

Foto: Visual People

Asnjë i mbijetuar nuk është gjetur deri më tani dhe autoritetet nuk kanë një vlerësim të qartë për shkakun e rrëzimit të aeroplanit të hënën në Kinë.

Hetimi për shkakun e rrëzimit është shumë i vështirë për shkak të dëmtimit të rëndë të avionit, tha Zhu Tao, drejtor i sigurisë së aviacionit në Administratën e Aviacionit Civil të Kinës në një konferencë shtypi të martën në mbrëmje.

Rreth orës 14:38 të së hënës, një aeroplan udhëtarësh i kompanisë "China Eastern Airlines" me 132 veta, duke përfshirë nëntë anëtarë të ekuipazhit, u rrëzua në malësinë e Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore.

Ekipet e shpëtimit po bëjnë përpjekje të gjithanshme për të kërkuar dy kutitë e zeza të avionit, tha Zhu, duke shtuar se operacioni i shpëtimit vijon ende.

Familjet e 123 udhëtarëve u kontaktuan brenda 24 orëve pas tragjedisë, bëri të ditur Sun Shiying, kryetar i degës së Yunnan-it të kompanisë "China Eastern Airlines", në konferencën e shtypit.

Avioni "Boeing 737-800", me numër B1791, u dorëzua më 22 qershor 2015. Ai plotësonte kërkesat përpara nisjes dhe anëtarët e ekuipazhit ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe me përvojë të mjaftueshme fluturimi, tha Sun. (Çang Çuo)