foto/CGTN

foto/CGTN

Rreth orës 14:38 të së hënës, avioni i fluturimit MU5735 të kompanisë ajrore “China Eastern Airlines” humbi kontaktin dhe u rrëzua mbi qytetin Wuzhou të provincës Guangxi gjatë udhëtimit nga Kunming-u për në Guangzhou. Në aeroplan kishte 123 udhëtarë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit.

Pas ndodhjes së aksidentit, presidenti i Kinës Xi Jinping dha menjëherë udhëzime të rëndësishme. Ai u trondit kur mësoi për rrëzimin e avionit dhe kërkoi të fillojë menjëherë mekanizmi i emergjencës, të bëhet çdo përpjekje për të organizuar punën e kërkim-shpëtimit dhe të trajtohen siç duhet pasojat. Këshilli i Shtetit dërgoi një grup për të koordinuar punët dhe për të trajtuar incidentin sa më shpejt të jetë e mundur, për të zbuluar sa më shpejt arsyen e aksidentit, për të nxjerrë përfundime, për të forcuar hetimin e rreziqeve të mundshme të sigurisë në fushën e aviacionit civil, për t’i kushtuar vëmendje zbatimit të përgjegjësive e për të garantuar sigurinë absolute të funksionimit të avionëve dhe të jetës së njerëzve.

Kryeministri i Kinës Li Keqiang nxori udhëzime, duke kërkuar të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur të mbijetuarit e për të mjekuar të plagosurit, për të trajtuar siç duhet pasojat, për të ngushëlluar familjet e viktimave dhe për t’u shërbyer atyre, për të publikuar informacione në kohë, për të bërë hetim serioz për shkakun e aksidentit dhe për të marrë masa efektive për të forcuar menaxhimin e sigurisë së aviacionit civil.

Sipas udhëzimeve të presidentit Xi Jinping dhe kërkesave të kryeministri Li Keqiang, Administrata e Aviacionit Civil e Kinës, Ministria e Menaxhimit të Emergjencave dhe departamentet përkatëse kanë dërguar grupe pune në vendngjarje dhe forca shpëtimi nga Guangxi dhe Guangdong-u për të marrë pjesë në operacionin e shpëtimit. Tani në vendngjarje po zhvillohen punët e shpëtimit dhe të hetimit të aksidentit. (Fang Xiaoyu/Artan)