“Duhet t'i orientojmë marrëdhëniet kino-amerikane në drejtimin e duhur, si edhe të marrim përgjegjësinë e duhur ndërkombëtare dhe të bëjmë përpjekje për paqen e qëndrueshmërinë globale.” Kështu tha presidenti kinez Xi Jinping në videotelefonatën me homologun e vet amerikan Joe Biden të premten.

[Foto:VCG]

[Foto:VCG]

Kjo është videotelefonata e dytë midis të dy liderëve pas asaj në muajin nëntor të vjetshëm. Pas katër muajve, ka pasur ndryshime të mëdha në situatën ndërkombëtare. Me nxitjen e NATO-s të udhëhequr nga ShBA-ja, konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë u përkeqësua më tej dhe u kthye në konflikt ushtarak. Si krijuesja e konfliktit të Ukrainës, ShBA-ja jo vetëm injoroi përgjegjësinë e vet, por sajoi informacione të rreme rreth Kinës, duke zhvendosur përgjegjësinë e vet te Kina dhe duke përfituar nga lufta. Këto veprime kanë sjellë më shumë sfida në marrëdhëniet Kinë-ShBA dhe kanë shtuar faktorët destabilizues ndaj paqes botërore.

Në këtë çast kyç, liderët e Kinës dhe ShBA-së zhvilluan videotelefonatë, duke shkëmbyer thellësisht mendime mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen në Ukrainë, çka është shumë e domosdoshme për të dy vendet dhe për mbarë botën.

Gjatë telefonatës, presidenti amerikan ritheksoi se ShBA-ja nuk kërkon një Luftë të re të Ftohtë me Kinën, nuk i kërkon Kinës që të ndryshojë sistemin, nuk do t'i kundërvihet Kinës nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve me aleatët, nuk mbështet "pavarësinë e Tajvanit" dhe nuk synon një konflikt me Kinën. Kreu i shtetit kinez vlerësoi seriozisht premtimet e presidentit Biden. Xi i tha homologut amerikan se problemet në marrëdhëniet dypalëshe “janë për shkak se disa amerikanë nuk zbatojnë konsensusin e arritur nga ne të dy dhe nuk vënë në praktikë qëndrimin pozitiv të presidentit Biden. Pala amerikane ka bërë keqllogaritje e gjykime të gabuara lidhur me qëllimet strategjike të Kinës.”

Videotelefonatë midis krerëve të shtetit të Kinës dhe të ShBA-së, 18 mars(Foto:Xinhua)

Videotelefonatë midis krerëve të shtetit të Kinës dhe të ShBA-së, 18 mars(Foto:Xinhua)

Fjalët e presidentit kinez janë shumë të drejtpërdrejta, duke treguar arsyen e vërtetë pse pala amerikane nuk i ka mbajtur premtimet dhe duke treguar gabimin e ShBA-së që e konsideron Kinën si një “armik imagjinar”.

Gjatë kësaj videotelefonate, Xi foli përsëri për përgjegjësinë ndërkombëtare, duke ritheksuar qëndrimin e Kinës për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës. Ai shtoi se “si liderë të vendeve të mëdha, ne duhet të konsiderojmë me vëmendje trajtimin e çështjeve ndërkombëtare, si dhe qëndrueshmërinë globale dhe jetën e miliarda njerëzve në botë. Vendosja e sanksioneve gjithëpërfshirëse dhe pa dallim i bën njerëzit e thjeshtë të vuajnë.” Xi vuri në dukje se detyra urgjente tani është të nxitet dialogu e negociatat për një armëpushim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës sa më parë, të shmangen viktimat civile, të parandalohet kriza humanitare dhe të pushojë zjarri dhe lufta sa më shpejt.

“Sa më e ndërlikuar të jetë situata, aq më shumë duhet të mbetemi të qetë dhe racionalë. Duhet të kemi guxim politik dhe të krijojmë hapësirën për paqe dhe zgjidhjen me mjete politike,” tha Xi. Konflikti mund të zgjidhet nga pala që e krijoi. Pala amerikane u shpreh në telefonatë se ShBA-ja është e gatshme të bisedojë me Kinën për të parandaluar përshkallëzimin. Në fakt, ShBA-ja duhet të bëjë siç ka premtuar. Është e pamundur që ajo të kërkojë bashkëpunimin me Kinën duke përbaltur dhe kërcënuar Kinën.

Vlen të përmendet se videotelefonata midis të dy liderëve përkon me 50-vjetorin e “Komunikatës së përbashkët të Shangait midis Kinës dhe ShBA-së”. Atëherë, brezi i vjetër i liderëve të të dy vendeve ishin të mendimit se, megjithëse ka dallime midis Kinës dhe ShBA-së, të dy vendet nuk duan ta ndryshojnë njëri-tjetrin dhe mund të zhvillojnë bashkëpunim në bazë të interesave të përbashkët. Kjo frymë e rëndësishme e “Komunikatës së përbashkët të Shangait” vlen edhe sot. Biden përmendi në videotelefonatë këtë “Komunikatë”, dhe ishte i mendimit se zhvillimi i marrëdhënieve kino-amerikane ka ndikim të rëndësishëm në botën e shekullit të 21-të.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme midis Kinës dhe ShBA-së janë në favor të të dy vendeve.” Sipas të dy liderëve, kjo videotelefonatë ishte konstruktive, duke u kërkuar ekipeve përkatëse të të dy vendeve të vijojnë punën sa më shpejt. Kina dëshiron që pala amerikane të mbajë premtimet dhe të vërë në praktikë konsensusin e të dy liderëve dhe premtimet e presidentit Biden. ShBA-ja nuk duhet të zhgënjejë përsëri Kinën dhe botën, por duhet të nxitë marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur dhe zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës. (Li Huailiang/Artan)