foto/VCG

foto/VCG

Në përgjigje të akuzës së fundit nga sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken se Kina nuk i ka dënuar veprimet ushtarake të Rusisë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha të enjten se deklaratat e palës amerikane janë shpifje ndaj Kinës dhe kanë ekspozuar plotësisht mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe të blloqeve konfrontuese të ShBA-së. Komente të tilla nuk ndihmojnë për të zgjidhur problemin dhe Kina i kundërshton me vendosmëri ato. Zëdhënësi theksoi se çelësi për zgjidhjen e krizës në Ukrainë është në duart e ShBA-së dhe NATO-s.

Zhao Lijian vuri në dukje se për çështjen e Ukrainës, Kina ka vepruar gjithmonë në një mënyrë objektive e të drejtë dhe ka bërë gjykime të pavaruara bazuar në vetë natyrën e çështjes. Pekini ka mbrojtur gjithmonë respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve dhe zbatimin e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së, duke u kushtuar vëmendje shqetësimeve të sigurisë të të gjitha vendeve dhe duke mbështetur të gjitha përpjekjet që janë në të mirë të zgjidhjes paqësore të krizave. Si një vend i madh i përgjegjshëm, Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë botërore.

foto/VCG

foto/VCG

Zhao Lijian-i tha se vendimi i qeverisë amerikane mbi zgjerimin e NATO-s drejt Lindjes lidhet drejtpërdrejtë me krizën e sotme në Ukrainë:

“Ish-anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Tulsi Gabbard tha që, nëse ShBA-ja premton të mos e pranojë Ukrainën në NATO, mund t’i japë fund krizës dhe të parandalojë shpërthimin e një lufte, por qeveria amerikane nuk do ta bëjë këtë. Çelësi për zgjidhjen e krizës së Ukrainës është në duart e ShBA-së dhe NATO-s. Shpresoj që pala amerikane dhe NATO-ja, si nismëtare të krizës, do të reflektojnë mbi rolin e tyre në krizën e Ukrainës, do të marrin përgjegjësitë e tyre, do të ndërmarrin veprime praktike për ta zbutur situatën dhe zgjidhur problemin, për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.”

Kina shpreson që pala amerikane do të punojë vërtet me shumicën e vendeve në zhvillim në botë, do të qëndrojë në anën e paqes e të drejtësisë dhe do të promovojë zgjidhjen e krizës në Ukrainë sa më parë, shtoi zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Fang Xiaoyu/Artan)