Foto:VCG

Foto:VCG

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi të shtunën një bisedë telefonike me sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken mbi marrëdhëniet kino-amerikane dhe çështjen e Ukrainës me kërkesën e palës amerikane.

Përparimi dhe zbatimi i konsensusit të arritur nga dy krerët e shteteve gjatë videotakimit të tyre vitin e kaluar mbetet gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet kino-amerikane, po fjalët dhe veprat e fundit nga pala amerikane bien ndesh me objektivat, u shpreh Wang.

Ai i kërkoi palës amerikane që t’i rikthehet kuptimit të vërtetë të parimit të “Një Kine”, të ndalojë nxitjen dhe mbështetjen e lëvizjeve për "pavarësinë e Tajvanit" dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës, si edhe të ruajë gjendjen e përgjithshme të marrëdhënieve ndërmjet Kinës e ShBA-së me veprime konkrete.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështjen e Ukrainës.

Wang tha se Pekini nuk dëshiron të shohë mënyrën si po zhvillohet çështja e Ukrainës.

Kjo çështje është e ndërlikuar dhe jo vetëm ka të bëjë me normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe është gjithashtu e lidhur ngushtë me interesat e sigurisë të palëve të ndryshme, theksoi ai.

Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina gjithmonë i bazon pozicionin dhe politikën e saj sipas natyrës së vetë çështjes, tha Wang, duke shtuar se Kina beson se kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së.

Kryediplomati theksoi se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen, duke bërë thirrje për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut.

Wang tha se pala kineze shpreson që luftimet të ndalen sa më shpejt të jetë e mundur, situata në terren të qetësohet, siguria e civilëve dhe e pronës të garantohet dhe të parandalohet një krizë humanitare në shkallë të gjerë. Ai theksoi se kriza në Ukrainë mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut dhe negociatave.

Kina do të vazhdojë të bëjë sa mundet për paqen dhe nxit negociatat e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës.

Wang shtoi se pala kineze inkurajon gjithashtu Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian të angazhohen në dialog të barabartë me Rusinë dhe të synojnë të krijojnë një mekanizëm të ekuilibruar, të efektshëm dhe të qëndrueshëm të sigurisë evropiane në përputhje me parimin e "sigurisë së pandashme".(Artan)