[Foto:VCG]

[Foto:VCG]

Zhang Yesui, zëdhënësi i sesionit të pestë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës, theksoi të premten rëndësinë e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella në zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane, duke thënë se politika e Kinës ndaj ShBA-së është e qartë dhe e vendosur.

Duke iu përgjigjur në një konferencë shtypi një pyetjeje mbi marrëdhëniet kino-amerikane, Zhang theksoi se qëndrueshmëria e këtyre marrëdhënieve është në të mirë të të dyja palëve dhe të ruajtjes së një mjedisi ndërkombëtar paqësor e të qëndrueshëm, si edhe të trajtimit efektiv të sfidave globale si ndryshimi i klimës dhe pandemia e COVID-19.

Zëdhënësi vuri në dukje se kyçi i bashkëjetesës paqësore është respekti i ndërsjellë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të respektojnë sistemet shoqërore dhe rrugët e zhvillimit të njëra-tjetrës, interesat thelbësorë e shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit dhe parimet bazë, si ai i mosndërhyrjes në punët e brendshme.

Bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella u shërben interesave themelore të dy vendeve e popujve, theksoi Zhang, duke shtuar se kjo është gjithashtu një aspiratë e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare.

Në lidhje me projektligjin e fundit të konkurrencës me Kinën të miratuar nga Kongresi i ShBA-së, zëdhënësi tha se trajtimi i Kinës si një rivale strategjike vetëm se do të minojë besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes Kinës e ShBA-së dhe do të dëmtojë interesat e vetë Shteteve të Bashkuara.

Zhang nënvizoi gjithashtu se krijimi i vijave ndarëse ideologjike dhe formimi i qarqeve të vogla për përballjen mes blloqeve janë veprime që shkojnë kundër prirjes së kohës dhe që nuk të çojnë askund.