Foto:VCG

Foto:VCG

“Me të dhënat e hollësishme dhe shumë informacione faktike, ky raport zbulon se gjendja e të drejtave të njeriut në ShBA është përkeqësuar më tej”, komentoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin lidhur me një raport të publikuar ditët e fundit nga pala kineze për shkeljen e të drejtave të njeriut në ShBA gjatë vitit të kaluar.

“Si vendi me sistemin më të përparuar mjekësor në botë, ShBA-ja radhitet në vendin e parë për numrin e të prekurve dhe viktimave prej COVID-19. Me përkeqësimin e sigurisë publike, vjet në ShBA ndodhën 693 incidente të mëdha të përdorimit të armëve të zjarrit, 10.1 % më shumë në krahasim me vitin 2020. Mbi 44 mijë veta humbën jetën në incidente të tilla. Sulmet dhe diskriminimi ndaj banorëve të pakicave etnike, sidomos atyre me origjinë aziatike, janë në rritje e sipër. Krimet e urrejtjes kundër banorëve me origjinë aziatike u shtuan 361 % në vitin 2021 në Nju Jork krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, zbatimi i dhunshëm i ligjit ka marrë 557 jetë”, vuri në dukje z. Wang.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas tij, tragjedi të tilla të të drejtave të njeriut ndodhin jo vetëm në ShBA, por edhe në disa krahina të tjera të botës për shkak të hegjemonizmit, unilateralizmit dhe intervencionizmit amerikan. “Nga një anë, pala amerikane kritikon pa bazë vendet e tjera për burgime të paarsyeshme dhe punë të detyrueshme, kurse nga ana tjetër hesht për keqtrajtimin e të burgosurve dhe ‘skllavërinë moderne’ brenda vetë ShBA-së. Në burgjet e zeza të krijuara nga ShBA-ja në mbarë botën, shumë njerëz janë keqtrajtuar me ndëshkime brutale. Pavarësisht kësaj, ShBA-ja e quan vetveten ‘mbrojtëse’ dhe ‘gjykatëse’ të të drejtave të njeriut dhe zhvillon aktivisht ‘diplomacinë e të drejtave të njeriut’, gjë që ka shfaqur plotësisht hipokrizinë dhe standardet e dyfishta të saj. ShBA-ja duhet të reflektojë rreth problemeve të veta në këtë drejtim, duke braktisur politizimin e të drejtave të njeriut dhe duke bërë më shumë për të përmirësuar situatën e vet të brendshme, në vend të dëmtimit të të drejtave të njeriut në vende të tjera”, shtoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.