Foto: MPJ

Foto: MPJ

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u bëri thirrje të hënën Shteteve të Bashkuara të ndalojnë mosrespektimin e parimit të “Një Kine” dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës.

Wang i bëri komentet në një videofjalim në një veprimtari përkujtimore lidhur me 50- vjetorin e Komunikatës së Shangait ndërmjet Kinës dhe ShBA-së.

Komunikata e Përbashkët e Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u publikua në Shangai më 28 shkurt 1972, në ditën e fundit të vizitës historike njëjavore të presidentit të atëhershëm amerikan Riçard Nikson në Kinë. Në Komunikatën e Shangait, Uashingtoni pranon se "ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës".

Numri një i diplomacisë kineze theksoi se ShBA-ja duhet t'u përmbahet premtimeve politike që ka bërë ndaj Kinës dhe të marrë përsipër detyrimet e saj ndërkombëtare.

Uashingtoni duhet të ndalojë pranimin ose mbështetjen e "pavarësisë së Tajvanit" dhe të ndalojë përpjekjet e "përdorimit të Tajvanit për të frenuar Kinën", me qëllim që të ruhet paqja e stabiliteti në ngushticën e Tajvanit dhe drejtimi i përgjithshëm i marrëdhënieve Kinë-ShBA, tha ai.

Wang Yi vuri në dukje se bashkëpunimi duhet të jetë prirja kryesore e marrëdhënieve ndërmjet Kinës e ShBA-së, duke shtuar se përcaktimi i tyre si marrëdhënie konkurrimi është vetëm një pjesë e së tërës. Duhet të ketë kufij kur bëhet fjalë për konkurrimin, që duhet të mbështetet në rregulla të ndershme e të njohura ndërkombëtarisht, tha ai. (Çang Çuo)