Foto:VCG

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping ka theksuar vendosmërinë e palëkundur të Kinës në rrugën e zhvillimit të të drejtave të njeriut.

Duke folur të premten në një sesion studimi në grup të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, Xi bëri thirrje për më shumë përpjekje e vëmendje në respektimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut, si edhe për përmirësimin e zhvillimin e kauzës së të drejtave të njeriut, ndërsa Kina ka nisur një udhëtim të ri për t’u bërë një vend socialist modern.

Xi theksoi gjithashtu që respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është objektivi i përhershëm i Partisë Komuniste të Kinës.

Sipas tij, qysh nga Kongresi i 18-të Kombëtar në vitin 2012, PKK-ja e ka përfshirë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në agjendën e qeverisjes kombëtare dhe ka arritje historike në këtë drejtim.

Problemi i varfërisë absolute tashmë është zgjidhur, procesi i demokracisë popullore është zhvilluar më tej, barazia e drejtësia shoqërore janë garantuar fuqimisht dhe janë formuar sistemet më të mëdha të arsimit, sigurimeve shoqërore dhe kujdesit mjekësor në botë, çka ka treguar arritjet e Kinës në të drejtat e njeriut.

Krahas këtyre, Xi Jinping-u theksoi që Kina ka luftuar në mënyrë efektive pandeminë e COVID-19 për të mbrojtur sa më shumë shëndetin dhe sigurinë e njerëzve. Kina i trajton të gjitha kombësitë në mënyrë të barabartë, respekton besimet fetare të njerëzve dhe garanton të drejtat dhe interesat e ligjshme të të gjitha kombësive.

Kina ka garantuar stabilitetin shoqëror afatgjatë dhe është i vetmi vend i madh në botë që ka hartuar dhe zbatuar katër plane kombëtare veprimi për të drejtat e njeriut. Ndërkohë, Kina është edhe pjesëmarrëse aktive në qeverisjen globale të të drejtave të njeriut.

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së Xi Jinping theksoi gjithashtu që, në praktikën e zhvillimit të të drejtave të njeriut, Kina ka gjetur një rrugë që përshtatet me prirjen e kohës dhe gjendjen e vendit.

Ai nënvizoi edhe gjashtë pikat kryesore për zhvillimin e të drejtave të njeriut në Kinë: mbështetja e udhëheqjes së PKK-së; respektimi i pozicionit thelbësor të popullit; kryerja e punëve në bazë të gjendjes reale të vendit; mbështetja e të drejtave të mbijetesës dhe zhvillimit si të drejtat bazë të njeriut; garantimi i të drejtave të njeriut sipas ligjit; pjesëmarrja në qeverisjen globale të të drejtave të njeriut.

Këto janë edhe përvojat që duhet të mbështeten dhe zhvillohen më tej në praktikat e ardhshme.

Gjithashtu Xi theksoi që duhet të promovohet qeverisja globale e të drejtave të njeriut në një drejtim më të barabartë, më të drejtë, më të arsyeshëm dhe më përfshirës.

“Ne duhet të marrim pjesë aktivisht në çështjet e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe duhet të luajmë rol konstruktiv në shkëmbimet dhe bashkëpunimin mes vendeve, veçanërisht vendeve në zhvillim,” theksoi Xi.