Trupat ruse nisën të enjten një “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë. Moska theksoi që synimi i këtij operacioni ushtarak është “çmilitarizimi” i Ukrainës, ndërsa Ukraina shpalli zyrtarisht ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë. Vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare është mjaft e shqetësuar për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, duke kërkuar zgjidhjen e krizës nëpërmjet dialogut politik.

Analistët janë të mendimit që, lidhur me këtë konflikt, vendet perëndimore si ShBA-ja kanë përgjegjësi të madhe. ShBA-ja dhe NATO-ja u shprehën që nuk do të çojnë trupa në Ukrainë, por shpallën që do të dërgojnë pajisje ushtarake dhe trupa për të mbrojtur vendet aleate të NATO-s. Kjo ka mundësi ta ndërlikojë më tej gjendjen në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh të premten që “po e mbrojmë vendin tonë të vetëm, ndërsa fuqia më e madhe në botë po shikon nga larg”. Sipas tij, vendet perëndimore e kanë braktisur plotësisht Ukrainën.

Në një kohë kur pandemia po përhapet dhe bota ka nevojë për mëkëmbje ekonomike, konfliktet ushtarake me siguri nuk janë zgjidhja më e mirë. Shumica e vendeve të botës, përfshirë Kinën, kanë bërë thirrje për një zgjidhje politike. Ukraina dhe Rusia nuk i kanë mbyllur dyert e bisedimeve. Presidenti ukrainas Zelensky deklaroi që Kievi nuk ka frikë të zhvillojë bisedime me Moskën për sigurinë dhe statusin e Ukrainës. Sekretari i presidentit rus për shtypin Dmitry Peskov u shpreh të premten që Rusia e ka vënë re dëshirën e Ukrainës për bisedime dhe mendon që ky është një sinjal pozitiv.

Në fakt, Rusia dhe Ukraina janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Bashkësia ndërkombëtare shpreson që të dy palët të ruajnë gjakftohtësinë, të shmangin tensionimin e mëtejshëm të gjendjes dhe të gjejnë një rrugëzgjidhje nëpërmjet bisedimeve.