Zëdhënësja Hua Chunying në konferencën e shtypit, 24 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Zëdhënësja Hua Chunying në konferencën e shtypit, 24 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Lidhur me akuzat kundër Kinës të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price mbi çështjen e Ukrainës, zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying vuri në dukje të enjten në Pekin se marrëdhëniet Kinë-Rusi bazohen mbi “mosangazhimin, moskundërvënien dhe mosshënjestrimin e ndonjë pale të tretë”. Ato janë krejtësisht të ndryshme në thelb prej veprimeve të palës amerikane, që i ndan vendet e ndryshme dhe formon “qarqe të vogla” sipas ndryshimeve ideologjike për krijimin e kundërvënieve.

Lidhur me respektimin e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të një vendi, ShBA-ja nuk ka të drejtë ta mësojë Kinën. Populli kinez ka vuajtur për shumë vjet nga agresionet e huaja. “Vetëm para më shumë se 20 vjetësh, ambasada e Kinës në ish-Jugosllavi u bombardua nga NATO-ja, duke marrë jetën e tre gazetarëve kinezë. NATO-ja na ka një borxh gjaku”, tha znj. Hua.

Sipas saj, edhe sot Kina është ende para kërcënimeve reale nga ShBA-ja dhe disa ”aleatë” të saj me ndërhyrjet e tyre brutale në punët e brendshme të saj mbi çështjet e Xinjiang-ut, Hong-Kongut, Tajvanit etj., që dëmtojnë rëndë sovranitetin dhe sigurinë e Kinës. “Kina është i vetmi vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ende nuk ka realizuar ribashkimin e plotë kombëtar. Prandaj, ne përkrahim gjithmonë parimet e Kartës së OKB-së dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, mbrojmë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë e tërësinë territoriale, si edhe rendin e barabartë dhe të drejtë ndërkombëtar”, shtoi zëdhënësja.

Lidhur me komentet e palës amerikane, që lënë të nënkuptohet se Rusia e ndërmori një veprim të tillë pasi mori mbështetjen e Kinës, Hua Chuanying u shpreh se Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një vend i madh i pavarur, që i harton dhe i zbaton vetë strategjitë e saj në bazë të gjykimeve vetjake dhe interesave kombëtare.

Për sa u përket fjalëve të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit për Deklaratën e Përbashkët Kinë-Rusi, zëdhënësja Hua theksoi se Kina forcon bashkërendimin strategjik me palën ruse, duke theksuar mbrojtjen e rolit qendror të OKB-së në koordinimin e çështjeve ndërkombëtare, mbrojtjen e palëkundur të rendit ndërkombëtar të bazuar mbi parimet e Kartës së OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar. “Kjo pasqyron qëndrimin e duhur të vendeve të përgjegjshme dhe Deklarata është faktor pozitiv për mbrojtjen e sigurisë dhe të stabilitetit ndërkombëtar ”, shtoi znj. Hua.(Zhang Yan/Artan)