Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të hënën se përfunduan të dielën Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat janë një sukses i Kinës, i kauzës olimpike dhe i mbarë njerëzimit.

Thomas Bach, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, tha në ceremoninë e mbylljes se Olimpiada Dimërore e Pekinit ishte unike dhe e jashtëzakonshme. Për këtë, zëdhënësi theksoi:

[Foto nga Xinhua]

[Foto nga Xinhua]

“Kina i përmbushi premtimet e saj, duke i dhënë botës një olimpiadë të thjeshtë, të sigurt dhe të mrekullueshme. Konceptet e olimpiadës ‘’së gjelbër, të përbashkët, të hapur dhe të pastër‘’ janë zbatuar gjatë gjithë procesit të organizimit. Pekini ka hyrë në histori si i pari qytet organizator i Lojërave Olimpike Verore dhe i Lojërave Olimpike Dimërore. Mjedisi i konkurrimit profesional dhe të barabartë i ka lënë botës përshtypje të thella. Masat e rrepta për kontrollin dhe parandalimin e epidemisë kanë dhënë një shembull të mirë për organizimin e veprimtarive të mëdha. Organizimi sipas modelit të gjelbër, me lëshim të ulët karboni dhe të qëndrueshëm ka lënë një trashëgimi të pasur të Olimpiadës Dimërore" .

[Foto nga Xinhua]

[Foto nga Xinhua]

Wang theksoi më tej se shpirti olimpik është promovuar fuqishëm në Olimpiadën Dimërore të Pekinit. Rreth 3000 sportistë nga 91 vende e rajone u përpoqën, sfiduan kufijtë dhe kapërcyen vetveten, duke thyer dy rekorde botërore dhe 18 rekorde të Olimpiadës Dimërore, duke mishëruar moton olimpike “Më shpejt, më lart, më fort, të bashkuar”. Olimpiada Dimërore e Pekinit kishte një numër rekord medaljesh dhe shikueshmërinë më të lartë në historinë e lojërave dimërore, duke hapur një epokë të re të sporteve dimërore në botë, u shpreh zëdhënësi i diplomacisë kineze.

[Foto nga Xinhua]

[Foto nga Xinhua]

“Olimpiada Dimërore e Pekinit jo vetëm u solli ngrohtësinë dhe shpresë popujve të shumë vendeve me gjendjen e rëndë epidemike, duke i shtuar botës së trazuar energjinë e paqes dhe bashkimit. Sportistët nga e gjithë bota respektojnë, inkurajojnë e bekojnë njëri-tjetrin. Këto pamje të ngrohta u tregojnë njerëzve se bashkimi ka forcë më të madhe se ndarje.”(Li Huailiang/Artan)