foto/MFA

foto/MFA

Në mbrëmjen e së shtunës, këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u ftua të marrë pjesë në sesionin e Kinës të Konferencës së 58-të të Sigurisë të Mynihut nëpërmjet lidhjes me video në Pekin, duke mbajtur një fjalim kryesor.

Duke iu përgjigjur pyetjes përkatëse, Wang Yi u shpreh se Lufta e Ftohtë ka përfunduar prej kohësh, prandaj, si produkt i Luftës së Ftohtë, NATO-ja duhet të vlerësojë situatën dhe të bëjë rregullimet e nevojshme. ‘’Nëse NATO-ja zgjerohet drejt Lindjes, a do të jetë kjo në favor të sigurisë e paqes dhe të Europës? Kjo është një pyetje që ia vlen të merret parasysh seriozisht nga miqtë europianë,‘’ u shpreh ai.

Wang Yi theksoi më tej se sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen dhe të mbrohen, sepse këto janë normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe qëllimet e Kartës së OKB-së. Ky është edhe qëndrimi parimor që ka mbajtur gjithmonë Kina edhe ndaj çështjes së Ukrainës. Nëse dikush ka dyshim për qëndrimin e Kinës mbi këtë çështje, ky do të ishte një shtrembërim që i bëhet pozicionit të Kinës.

Kreu i diplomacisë kineze u shpreh më tej se, si një vend anëtar i Këshillit të Sigurimit, Kina është e vendosur në pozicionin e saj dhe i ka trajtuar çështjet ndërkombëtare sipas rëndësisë së tyre. Pala kineze mendon se mbi çështjen e Ukrainës, të gjitha palët duhet të kthehen në Marrëveshjen e Re të Minskut sa më shpejt, e cila është një marrëveshje e detyrueshme e arritur pas negociatave me të gjitha palët dhe është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjen e Ukrainës. “Me sa di unë, Rusia dhe BE-ja e mbështesin Marrëveshjen e Re të Minskut. Kur pata një bisedë telefonike me sekretarin e Shtetit të ShBA-së Bliken jo shumë kohë më parë, edhe pala amerikane shprehu mbështetje. Kështu, pse të gjitha palët të mos zhvillojnë bisedime tërësore dhe të hartojnë planin dhe afatet për zbatimin e marrëveshjes? Tani të gjitha palët duhet të marrin përsipër përgjegjësitë dhe të bëjnë përpjekje për paqen dhe jo të rrisin tensionet e të krijojnë panik, duke e zmadhuar mundësinë e luftës,” shtoi Wang. (Fang Xiaoyu/Artan)