Foto:Visual People

Foto:Visual People

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun tha të enjten se zgjidhja e çështjes së Ukrainës duhet të rikthehet në zbatimin e marrëveshjeve të reja të Minskut. Ai paraqiti qëndrimin e Kinës për situatën aktuale në konferencën për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Zhang tha se marrëveshjet e Minskut njihen nga të gjithë si një dokument politik themelor dhe detyrues për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës dhe meritojnë zbatim të plotë dhe efektiv nga të gjitha palët e interesuara. Fatkeqësisht, shumica e dispozitave të marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar, tha ai, duke shtuar se raportohen shkelje të reja të armëpushimit.

Me synim zgjidhjen paqësore të konflikteve në Ukrainën lindore, marrëveshjet e reja të Minskut, zyrtarisht Paketa e Masave të vitit 2015 për Zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut, u miratuan me Rezolutën 2202 të Këshillit të Sigurimit më 12 shkurt 2015, në Minsk, Bjellorusi.

Kina shpreson që të gjitha palët e interesuara të mbajnë një qëndrim konstruktiv, të zgjidhin përmes dialogut dhe konsultimit çfarëdo dallimi që mund të lindë në zbatimin e paketës, dhe të hartojnë një udhërrëfyes dhe plan kohor për zbatimin pa vonesë, për të hapur rrugën për një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë, tha Zhang.

"Kina mbështet të gjitha përpjekjet e favorshme për lehtësimin e tensioneve dhe vë në dukje angazhimin e fundit diplomatik në nivel liderësh midis Rusisë dhe Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane," tha Zhang.

"Një mekanizëm i sigurisë evropiane i negociuar, i balancuar, efektiv dhe i qëndrueshëm do të shërbejë si një bazë solide për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në të gjithë Evropën. Ne besojmë se vendet evropiane do të marrin vendime me autonomi strategjike në përputhje me interesat e tyre.", deklaroi përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara

Zhang shtoi se Kina mbështet deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që synojnë uljen e tensioneve.