Stafeta e pishtarit olimpik, që nisi të mërkurën dhe do të përfundojë të premten, do të kalojë nëpër tre zonat e konkurrimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, përkatësisht në qendrën e Pekinit, distriktin periferik Yanqing dhe qytetin fqinj bashkorganizator Zhangjiakou.

Në ditën e parë, pishtari kaloi nga Parku Pyjor Olimpik i Pekinit (i dedikuar Lojërave Olimpike Verore të vitit 2008) deri në Parkun e Lojërave Olimpike Dimërore, duke ecur nëpër “gjurmët olimpike” në kryeqytetin e Kinës, qyteti i parë në botë që organizon si Lojërat Olimpike Verore, ashtu dhe ato Dimërore.

Bartësi i parë pishtarit ishte 81-vjeçari Luo Zhihuan, kampioni i parë kinez i sporteve dimërore. Ndër gati 1 200 pishtarmbajtësit, ka personalitete të njohura të qarqeve të ndryshme, si astronauti Jing Haipeng, që ka kryer tre misione fluturimi në hapësirë, basketbollisti legjendar Yao Ming, regjisori i ceremonive të hapjes e të mbylljes së Olimpiadës Verore dhe Olimpiadës Dimërore të Pekinit Zhang Yimou etj., si dhe banorë të thjeshtë me profesione të ndryshme dhe pjesëmarrës të huaj nga mbi 20 vende e rajone të botës. Përveç kësaj, edhe elemente teknologjike, si robotët dhe automjetet me vetëdrejtim, janë përfshirë në procesin e zhvillimit të stafetës.(Foto:VCG)