foto nga VCG

foto nga VCG

Zyra e Komisionarit të Ministrisë së Jashtme kineze në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) shprehu të premten kundërshtimin e vendosur ndaj një rezolute të Parlamentit Evropian për Hong-Kongun, duke kërkuar të ndalojë histeria politike kundër Kinës dhe HKSAR-it.

Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë mbi atë që e quajti "shkelje të lirive themelore" në qytetin kinez dhe dënoi "përkeqësimin e të drejtave të njeriut" atje.

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian kërkuan gjithashtu shfuqizimin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare dhe i kërkuan Këshillit Evropian të vendosë sanksione kundër qeverisë qendrore kineze dhe zyrtarëve të HKSAR-it, si dhe të bojkotojë diplomatikisht dhe politikisht Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

Një zëdhënës i Zyrës së Komisionarit i dënoi akuzat dhe tha se masat, duke përfshirë Ligjin e Sigurisë Kombëtare dhe përmirësimin e sistemit zgjedhor të Hong-Kongut, kanë sjellë qëndrueshmëri dhe lulëzim në qytet, i cili ishte zhytur në kaos, dhe e kanë rikthyer zhvillimin e tij demokratik në rrugën e duhur.

Qeveria kineze është projektuesja, ndërtuesja, nxitësja dhe mbrojtësja e sistemit demokratik të Hong-Kongut, vuri në dukje zëdhënësi.

“Duke shpërfillur historinë dhe realitetin, Parlamenti Europian ka përbaltur vazhdimisht Hong-Kongun dhe ka sulmuar Kinën me pretekstin e të ashtuquajturave ‘demokraci dhe liri’ thjesht për publicitet”, tha zëdhënësi. "Ata nuk duan të shohin një Hong-Kong të qëndrueshëm e të begatë dhe përpiqen të lustrojnë elementët antikinezë në Hong-Kong. Ata ende ëndërrojnë ta përdorin Hong-Kongun si një kryeurë kundër Kinës. Farsa e tyre politike vetëmashtruese dhe qëllimet e tyre të këqija janë të destinuara të dështojnë”.

Po të premten, Misioni Kinez në Bashkimin Evropian (BE) shprehu protestë ndaj rezolutës lidhur me Hong- Kongun, duke thënë se disa politikanë në Parlamentin Evropian vijojnë të veprojnë në mënyrë konfrontuese për çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kinës.

Në një deklaratë në internet, Misioni i kërkoi Parlamentit Evropian të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës dhe krijimin e shqetësimeve për marrëdhëniet Kinë-BE. (Artan)