foto nga VCG

foto nga VCG

Organizatorët e “Pekin 2022” kanë publikuar rrugën që do të ndjekë stafeta e Pishtarit të Lojërave Olimpike Dimërore.

Stafeta është planifikuar të zhvillohet nga 2 deri më 4 shkurt në tre zonat e konkurrimit në pjesën qendrore të Pekinit, distriktin Yanqing të kryeqytetit kinez dhe qytetin Zhangjiakou në provincën fqinje Hebei, bëri të ditur Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022 në një konferencë për shtypin të premten.

Flaka olimpike mbërriti në Kinë më 20 tetor të vitit të kaluar, duke e bërë Pekinin qytetin e parë që mirëpret flakën si të olimpiadës verore, ashtu edhe dimërore. Për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe masave të parandalimit dhe kontrollit, formati i stafetës është modifikuar, me një shkurtim të gjatësisë së itinerareve dhe kohëzgjatjes së stafetës.

Sipas planit, stafeta do të nisë në Parkun Olimpik Pyjor të Pekinit. Rreth 1200 pishtarëmbajtës do të vizitojnë disa nga pikat më të famshme të Kinës, duke përfshirë seksionin Badaling të Murit të Madh, zonën e rrënojave Nihewan, Resortin e Skive Fulong dhe Pallatin e Verës.

Pjesa e fundit e stafetës do të zhvillohet në një zonë të mbyllur të Parkut Olimpik Pyjor.

Pishtari i “Pekin 2022” nderon trashëgiminë olimpike në kryeqytetin kinez me një dizajn të ngjashëm me atë të kazanit të Lojërave Olimpike të vitit 2008, i cili dukej si një rrotull gjigante. Ai gjithashtu ka një spirale që i ngjan një fjongoje që valëvitet, ku qëndron flaka olimpike.

Projektuesi i pishtarit Li Jianye shpjegoi se përdorimi i së kuqes dhe argjendit si ngjyra kryesore për pishtarin janë metafora për zjarrin dhe akullin, që synojnë të simbolizojnë se si pishtari do të sjellë "dritë dhe ngrohtësi në botën e akullit dhe borës".

Një tipar i veçantë i pishtarit do të shfaqet gjatë stafetës, kur mbajtësit e pishtarit do të shkëmbejnë flakën duke ndërthurur dy pishtarët përmes një "fjongoje", që simbolizon vizionin e “Pekin 2022” për "nxitjen e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis kulturave të ndryshme". (Artan)