Pekini ka krijuar dy zona të reja me rrezik të mesmë për Covid-19, pasi pesë raste të tjera të konfirmuara janë raportuar të transmetuara në nivel lokal deri të enjten, bënë të ditur autoritetet lokale shëndetësore, citon “Xinhua”.

Njëra nga zonat është një kompleks rezidencial në distriktin Fengtai të kryeqytetit kinez dhe tjetra është një konvikt ndërmarrjesh në distriktin Fangshan, deklaroi Pang Xinghuo, nënkryetari i Qendrës Komunale të Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Tre nga rastet e reja ishin në mesin e pesë pozitivëve të raportuar të mërkurën. Sa i përket dy të tjerave, njëri është kontakt i ngushtë i rasteve pozitive dhe tjetri kishte darkuar me disa prej tyre. Të pesë punojnë në magazinat frigoriferë.

Pang saktësoi se parandalimi dhe kontrolli i epidemisë në Pekin përfaqëson një proces sfidues dhe kompleks, pasi shfaqen raste sporadike në zona të ndryshme dhe bëri thirrje për të forcuar kontrollet dhe dezinfektimin. (Irma)