foto nga VCG

foto nga VCG

Me faktorët e prodhimit që përkrahin zhvillimin me cilësi të lartë dhe mbetjen të pandryshuar të themeleve për përmirësimin afatgjatë, organi i planifikimit shtetëror i Kinës u shpreh të martën i sigurt për mbajtjen e rritjes ekonomike brenda një sfere të arsyeshme në vitin 2022.

Yuan Da, zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, tha në një konferencë shtypi se qeveria do të zbatojë së shpejti politikat për të rritur kërkesën e brendshme dhe do të studiojë masat për të forcuar prodhimin industrial.

Prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u shtua 8.1 % vitin e kaluar, rritja më e madhe që nga viti 2011, treguan të hënën të dhënat zyrtare. Shifra është pak më e madhe se parashikimet e FMN-së dhe Bankës Botërore për një rritje prej 8 % dhe mbi objektivin e vendosur nga qeveria kineze prej 6 %.

Përballë sfidave të sjella nga pandemia, veprimtaria ekonomike e Kinës është stabilizuar pas një mëkëmbjeje të fortë në gjysmën e parë të vitit 2021. Në tremujorin e katërt, ekonomia kineze u rrit 4 % krahasuar me vitin 2020, nga 18.3 % në tremujorin e parë.

Yuan Da e pranoi se ekonomia e Kinës përballet me shumë sfida sivjet, duke përfshirë konsumin e dobët, rritjen e kufizuar të investimeve dhe pasiguritë në tregtinë e jashtme, të cilat kanë çuar në luhatjen e pritshmërive të tregut dhe të besimit të kompanive.

"Ne do të vazhdojmë të forcojmë monitorimin e parashikimin e ekonomisë dhe të studiojmë mjetet rezervë të politikave, duke shpallur në kohë masat përkatëse të politikave bazuar në nevojën e funksionimit ekonomik për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm," tha Yuan.

Banka qendrore e Kinës uli papritur të hënën kostot e huamarrjes së kredive afatmesme për herë të parë që nga prilli i vitit 2020, ndërsa analistët e tregut presin një lehtësim më të madh të politikave këtë vit për të mbështetur rritjen ekonomike.