foto nga VCG

foto nga VCG

Fluksi i udhëtimeve të Festës së Pranverës të vitit 2022 në Kinë nisi zyrtarisht të hënën. Sipas parashikimit gjithëpërfshirës të departamentit të transportit, fluksi i udhëtarëve sivjet do të jetë dukshëm më i ulët se përpara epidemisë. Megjithatë, do të ketë një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Parashikohet se sivjet, gjatë Festës së Pranverës, në mbarë Kinën do të zhvillohen 1.18 miliardë udhëtime, ose 29.5 milionë udhëtime në ditë, me një rritje 35.6 % në krahasim me vitin e kaluar.

Për të siguruar më mirë menaxhimin e suksesshëm të kulmit të udhëtimeve gjatë Festës së Pranverës, departamentet përkatëse kanë nxitur masa lehtësuese për të përmirësuar përvojën e udhëtarëve.

Së pari, do të sigurohet kapaciteti i saktë i transportit për të përmbushur nevojat e udhëtarëve në kontekstin e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë. Gjatë kohës së festës, departamentet përkatëse do të ofrojnë mbi 10.5 milionë vende udhëtimi në ditë, 10 % në krahasim me vitin 2019. Nëse ndodh epidemi në disa zona, departamentet do të rregullojnë shpejt kapacitetin e transportit, do të ndalojnë ose reduktojnë funksionimin e trenave të udhëtarëve në zonat e prekura dhe do të pakësojnë lëvizjen e njerëzve.

foto nga VCG

foto nga VCG

Së dyti, do të promovohen shërbimet pa kontakt për të krijuar një mjedis të shëndetshëm udhëtimi për udhëtarët. Për shembull, do të rritet numri i pajisjeve të vetëshërbimit në stacione dhe do të shtohen kanalet e shpejta për hyrjen në stacione. Do të përdoren gjithashtu shërbimet e porositjes së ushqimit në internet.

Për të siguruar zhvillimin e sukseshëm të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit të vitit 2022, departamentet përkatëse do të bëjnë çmos për të siguruar shërbimet e transportit për olimpiadën. Çdo ditë do të ketë 40 trena të veçantë të Lojërave Olimpike Dimërore për të përballuar shtimin e numrit të udhëtarëve gjatë ceremonive të hapjes dhe mbylljes. Shërbimi i biletave për Lojërat Olimpike Dimërore është përmirësuar për të ofruar shërbimin e rezervimit për personelin e regjistruar dhe mbajtësit e biletave të Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022. (Fang Xiaoyu/Artan)