Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi theksoi të premten thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për një të ardhme më të mirë për popujt e të gjitha vendeve.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në një videofjalim në ceremoninë e hapjes së Forumit për Bashkëpunimin midis Qyteteve Mike për Zhvillimin e Përbashkët të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022, Wang tha se organizimi i suksesshëm i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit është një angazhim solemn i Kinës ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Ai shprehu besimin se Lojërat Olimpike Dimërore do të bëhen një platformë për miqësinë dhe bashkëpunimin midis popullit kinez dhe popujve të të gjitha vendeve.

Wang falënderoi bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht qytetet mike, për mbështetjen e madhe gjatë periudhës përgatitore. Me afrimin e hapjes së Olimpiadës, Wang tha se Kina është e gatshme të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbatuar frymën olimpike të "mirëkuptimit të ndërsjellë me frymën e miqësisë, solidaritetit dhe lojës së ndershme".

Ne jemi të gatshëm të thellojmë më tej unitetin dhe bashkëpunimin midis popujve të të gjitha vendeve, t’i japim më shumë besim e shtysë botës dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të ndritur, u shpreh kryediplomati kinez Wang Yi. (Artan)