Kina ka paraqitur pakënaqësinë e vet serioze mbi një deklaratë të përbashkët Japoni-ShBA, që bën akuza të pabaza kundër Kinës dhe ndërhyn rëndë në punët e brendshme të saj, tha të premten ambasada kineze në Japoni.

Në deklaratë, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Japonisë e Shteteve të Bashkuara shprehën shqetësim për ato që ata thanë se ishin "përpjekjet e vazhdueshme të Kinës për të minuar rendin e mbështetur në rregulla", pas takimit të tyre virtual të premten.

Në përgjigje, zëdhënësi i ambasadës kineze në Tokio tha se Japonia dhe ShBA-ja po synonin hegjemoninë në emër të rregullave, duke shtuar se asnjë vend nuk mund të përcaktojë rendin ndërkombëtar dhe t’ua imponojë standardet e veta të tjerëve.

“Ka vetëm një grup rregullash në botë, që janë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare të mbështetura në qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha zëdhënësi.

Ai ritheksoi se asnjë forcë tjetër nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës lidhur me Tajvanin, Xinjiang-un e Hong-Kongun dhe se Kina do t'i përgjigjet "me vendosmëri e forcë" çdo akti që rrezikon sovranitetin e saj, ndërhyn në punët e saj të brendshme ose dëmton interesat e saj.

Duke vënë në dukje se ishujt Diaoyu dhe ishujt e vegjël përreth janë pjesë territoriale e Kinës, zëdhënësi shtoi se Kina do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat e veta detare, dhe ndërkohë do të angazhohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut e konsultimeve, duke ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në ujërat përkatëse.

Zëdhënësi i kërkoi gjithashtu Japonisë dhe ShBA-së që të mos vënë në shënjestër asnjë palë të tretë a të mos dëmtojnë interesat e ndonjë pale të tretë me aleancën e tyre dypalëshe.

Japonia gjithashtu duhet të ndalojë ngritjen e çështjeve që lidhen me Kinën në nivele shumëpalëshe dhe të bëjë më shumë për të ruajtur zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve me Kinën, u shpreh zëdhënësi.