Zv.ministri i Jashtëm kinez Ma Zhaoxu përshëndeti të hënën deklaratën e përbashkët të bërë nga udhëheqësit e pesë shteteve me armë bërthamore, përkatësisht Kinës, Francës, Rusisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e garës së armatimit.

Të pesë vendet ritheksuan në deklaratë se asnjë armë e tyre bërthamore nuk i drejtohet njëri-tjetrit ose ndonjë vendi tjetër, dhe se lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë.

Ma Zhaoxu tha se është hera e parë që udhëheqësit e pesë vendeve bëjnë një deklaratë mbi armët bërthamore, çka tregon vullnetin e tyre politik për parandalimin e luftës bërthamore, duke dërguar një zë të përbashkët për mbrojtjen e stabilitetit strategjik global dhe për uljen e rrezikut të konfliktit bërthamor.

Numri dy i diplomacisë kineze u shpreh gjithashtu se deklarata do të jetë në favor të shtimit të besimit të ndërsjellë mes pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të zëvendësojë konkurrencën mes vendeve të mëdha me bashkëpunimin e koordinuar.

Ai shtoi se Kina ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e arritjes së deklaratës pozitive e solide nga vendet përkatëse.

Fu Cong, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Kontrollit të Armëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës, e mirëpriti gjithashtu deklaratën, duke e quajtur atë "shumë të rëndësishme" dhe "shumë në kohë". (Fani)