Kina u ka dhuruar ose eksportuar vaksina kundër COVID-19 dhjetëra vendeve, duke mbajtur premtimin e saj për t'i bërë vaksinat kineze “një produkt publik global”.

Kina është pararendëse në nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e vaksinave dhe një përkrahëse e vendosur e shpërndarjes së barabartë të vaksinave, tha të dielën ministri i Jashtëm Wang Yi, njëherësh anëtar i Këshillit të Shtetit të Kinës.

“Kina do të vazhdojë të nxitë bashkëpunimin ndërkombëtar për të luftuar kundër pandemisë së COVID-19 në vitin 2021 dhe të zhvillojë marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet,” shtoi ai.

Vaksinat kineze kanë mbërritur në shumë vende. Në vijim renditen një pjesë e vendeve që kanë marrë vaksinat kineze kundër COVID-19 gjatë javës së kaluar.


Meksika mbështetet te Kina pas refuzimit nga ShBA-ja për ndarjen e vaksinave

Meksina porositi nga Kina 22 milionë doza për të plotësuar mungesën e vaksinave kundër COVID-19 në vend, tha ministri i Jashtëm meksikan Marcelo Ebrard të martën, një javë pas përjashtimit nga presidenti amerikan Joe Biden të mundësisë së ndarjes së vaksinave me Meksikën brenda një kohe të shkurtër.

Ebrard-i tha se Meksika ka porositur 10 milionë doza shtesë vaksinash të COVID-19 nga kompania kineze “Sinovac”, të cilat do të mbërrijnë në periudhën maj-korrik. Ndërsa kontingjenti i parë i vaksinave të “Sinovac”-ut prej 10 milionë dozash, pritet të mbërrijnë nga marsi deri në maj.

Meksika do to porositë edhe 12 milionë doza vaksinash të prodhuara nga kompania kineze “Sinopharm”, me t'u miratuar nga autoriteti i shëndetësisë i vendit, shtoi Ebrard.

Mali i Zi mori kontingjentin e parë të vaksinave kundër COVID-19 të dhuruara nga Kina

Kontingjenti i parë i vaksinave të “Sinopharm”-it të dhuruara nga Kina, arriti në Malin e Zi të mërkurën e kaluar.

Mali i Zi është ndër vendet e para evropiane që kanë marrë vaksinat e dhuruara nga Kina, gjë që mishëron dëshirën e mirë të popullit kinez dhe miqësinë tradicionale midis dy vendeve, tha Liu Jin, ambasadori i Kinës në këtë vend.

Kontingjenti i tretë i vaksinave kineze mbërriti në Serbi

Serbia mori të premten e kaluar dërgesën e tretë të vaksinave për COVID-19 nga Kina.

Dy kontingjentet e para arritën në Serbi më 16 janar dhe 10 shkurt dhe ky vend nisi fushatën kombëtare të vaksinimit më 19 janar, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Ukraina miraton vaksinën kineze të “Sinovac”-ut

Ministri i Shëndetësisë i Ukrainës tha të enjten e kaluar se ka miratuar vaksinën e COVID-19 të prodhuar nga kompania kineze “Sinovac”.

Kompania farmaceutike ukrainase “Lekhim”, një nga partneret e “Sinovac”-ut, ka nënshkruar një marrëveshje me prodhuesin për dërgimin e 5 milionë dozave të vaksinës në Ukrainë, përfshirë 1.9 milionë doza përmes një programi prokurimi shtetëror.

Universiteti turk: Efektiviteti i vaksinës kineze të “Sinovac”-ut arrin në 84.5%

Vaksina për COVID-19 e prodhuar nga kompania kineze “Sinovac Biotech” ka një efektivitet prej 83.5 për qind, sipas provave klinike të fazës së tretë në Turqi, shpalli Universiteti "Hacettepe" të mërkurën e kaluar në një konferencë shtypi.

Ndërkohë, vaksina e "Sinovac"-ut ka efektivitet 100 % në parandalimin e simptomave të rënda të pneumonisë së koronavirusit të ri dhe në parandalimin e shtrimit të të infektuarve në spital, sipas profesorit Murat Akova të këtij universiteti.

Vaksina kineze e “Sinovac”-ut merr autorizimin e shitjes në Tunizi

Ministria e Shëndetësisë e Tunizisë shpalli të enjten e kaluar se vaksina kundër COVID-19 e kompanisë kineze “Sinovac” u miratua zyrtarisht për shitje në tregun e këtij vendi.

Zimbabvja autorizon përdorimin urgjent të vaksinave të “Sinovac”-ut dhe “Sinopharm”-it

Zimbabvja ka autorizuar përdorimin urgjent të katër vaksinave kundër COVID-19, përfshirë ato kineze të “Sinovac”-ut dhe “Sinopharm”-it, tha të martën ministrja e Informacionit e Zimbabves Monica Mutsvangwa.

Ky vend i Afrikës Jugore nisi muajin e kaluar programin e vaksinimit pas marrjes nga Kina të një dhurimi prej 200 mijë dozash të vaksinës së “Sinopharm”-it.

Kontingjenti i dytë i vaksinave kineze mbërrin në Kolumbi

Një dërgesë e re e vaksinave kineze kundër COVID-19 të “Sinovac”-ut arriti në Kolumbi të shtunën dhe të dielën, njoftoi në medien sociale presidenti i këtij vendi Ivan Duque.

Guineja nis vaksinimin për COVID-19 me vaksinat kineze

Republika e Guinesë filloi programin e saj të vaksinimit kundër COVID-19 të premten, dy ditë pasi një kontingjent vaksinash të dhuruara nga Kina arritën në vend. (Wang Lei/ Artani)