Më 4 shkurt, një vit nga hapja e Olimpiadës Dimërore të Pekinit, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach i dërgoi kryetarit të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) Shen Haixiong një letër, ku përshëndet të gjithë punonjësit e CMG-së. Bach theksoi se, megjithëse epidemia e COVID-19 ka sjellë shumë sfida, mund të themi me besim të plotë se Kina është e gatshme për të pritur më të mirët e sporteve dimërore nga tërë bota.
Thomas Bach tha në letër se në këtë verë do të organizohen Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të Tokios, ndërsa pas një viti Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit. Bach shprehu falënderime për përkrahjen dhe angazhimin afatgjatë të palës kineze ndaj lëvizjes olimpike.
Foto: Më 30 janar, kryetari i CMG-së Shen Haixiong u takua me delegacionin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të kryesuar nga Thomas Bach
Kreu i KON-it përmendi në letrën e tij edhe bisedën telefonike me presidentin kinez Xi Jinping, gjatë së cilës ata arritën konsensus se respektimi i lojërave olimpike dhe i lëvizjes olimpike është shumë i rëndësishëm dhe kalon përtej çdo konflikti politik.
Bach theksoi gjithashtu se në një rezolutë të miratuar në sesionin e fundit të Asamblesë së OKB-së "mirëpriten dhe vlerësohen lart" lojërat olimpike dhe paralimpike që do të organizohen në korrik dhe gusht. Në të njëjtën kohë, liderët e G20-s u shprehën në deklaratën përfundimtare të samitit të vitit 2020 se ata do të përkrahin me forcë Lojërat Olimpike e Paralimpike të Tokios dhe Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit.
Bach shprehu në letër besimin e tij se “bashkimi na bën më të fortë”. (Xu Guang)