Një varr që mund të jetë më shumë se 2600-vjeçar u zbulua kohët e fundit në fshatin Xuyang të Luoyang, provinca Henan, sipas Institutit të Kërkimit të Arkeologjisë dhe Gërmadhave Kulturore Luoyang.
Arkeologët besojnë se është vendi i varrosjes së një familje rongren, një emër i përgjithshëm për pakicat etnike në zonat perëndimore të vendit gjatë periudhës së pranverës dhe vjeshtës (770-476 p.e.s.), bën të ditur “China Daily”.
"Varri është ruajtur mirë. Ne kemi zbuluar shumë objekte funerale në të, duke përfshirë sende bronzi", -tha Wu Yeheng, një arkeolog në institut.
Vendi i varrit është i vendosur në një kompleks varrezash në fshatin Xuyang, qarku Yichuan, i quajtur Varrezat Xuyang. Rreth 150 varre janë zbuluar që nga viti 2013, mes tyre 12 përfshijnë objekte funerale dhe gropa flijimesh, sipas profesorit universitar Luo Feng.
Varret i përkisnin Luhunrong, një popull nomad që jetonte në Kinën Veriperëndimore gjatë Dinastisë së pranverës dhe vjeshtës, i cili migroi në qarkun Yichuan në Luoyang në vitin 638 p.e.s, sipas të dhënave historike.
Zbulimet e reja do të jenë të dobishme në kërkimet në lidhje me migrimet dhe integrimin e kulturave të ndryshme etnike, -tha Wu. (Elona)