Qyteti Guangzhou i provincës Guangdong të Kinës Jugore do të jetë edhe një herë në qendër të vëmendjes, ndërsa yje të sportit dhe ekspertë të sektorëve përkatës do të mblidhen për Ekspozitën e Kulturës Sportive dhe Ekspozitën e Turizmit Sportiv të Kinës (CSCTE). Të dy ekspozitat do të hapen më 27 nëntor nën masat e nevojshme për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.
Me temën "Kinë e shëndetshme, fuqi sportive", në CSCTE-në e këtij viti do të ketë shtatë zona të mëdha ekspozimi e do të organizohen 14 nënforume dhe 20 veprimtari të tjera, ku do të marrin pjesë shumë marka vendëse e të huaja, teksa do të shpërfaqen njëkohësisht karakteristikat kineze në industrinë globale të sporteve.
Vlen të përmendet se për herë të parë këtë vit u zhvilluan forumi i trashëgimisë kulturore jomateriale sportive dhe forumi i kinematografisë dhe televizionit sportiv, për të promovuar kulturën tradicionale kineze të sportit.
Në edicionet e sivjetshme të CSCTE-së, produktet do të ekspozohen në mënyrë reale dhe në mënyrë virtuale në internet për herë të parë, për shkak të pandemisë së COVID-19. Nëpërmjet përdorimit të teknologjisë moderne dhe inovative, vizitorët mund të kenë një përvojë gjithëpërfshirëse të kulturës dhe veprimtarive të pasura sportive.
Për shembull, në zonën e shëndetit sportiv dhe të produkteve inovative, HADO, një lojë inovative ekipore e krijuar nga një kompani japoneze, do të përdorë teknologjinë e realitetit të shtuar (AR) për t'u sjellë pjesëmarrësve një përvojë sportive virtuale të gjithanshme.
Përveç kësaj, në ekspozitë do të zhvillohen në terren ndeshja e hokejit në tokë të thatë, gara e patinazhit dhe shfaqjet e hendbollit e të arteve marciale të tempullit "Shaolin", duke bërë që vizitorët të përjetojnë shpejtësinë dhe pasionin për sportin me anë të ndërthurjes së virtualitetit dhe realitetit.
Veprimtaria do të zgjasë deri më 29 nëntor. (Artan)