Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të OKB-së, zyrtarët e kësaj organizate vlerësuan rezultatet e arritura nga Kina për zhdukjen e varfërisë dhe theksuan se ajo po luan rol të rëndësishëm në bashkëpunimin Jug-Jug.

Sipas Dokumentit të Qendrimeve të Kinës mbi 75-vjetorin e themelimit të OKB-së të publikuar ditët e fundit, Kina ka zgjidhur problemin e ushqimit për 1.4 miliard banorë dhe sivjet do të realizohet zhdukja e popullsisë së varfër në zonat rurale si dhe do të arrihet ndërtimi i një shoqërie relativisht të begatë. Lidhur me këtë, zv-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Fabrizio Hawkschild u shpreh në intervistë për CMG-në se gjatë 75 viteve pas themelimit të OKB-së, Kina ka dhënë kontribut të shquar për OKB-në në fusha të ndryshme, sidomos në fushën e zhdukjes së varfërisë. Kina ka shkëputur 1.4 miliard vetë nga varfëria dhe po ndihmon për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së 2030.

"Në aspektin e zhdukjes së varfërisë, Kina arriti suksese në dhjetëra vite dhe dha kontributin më të madh për veprimet globale të zhdukjes së varfërisë. Mendoj se bota mund të mësojë nga përvoja e suksesshme e Kinës dhe shumë vende po e bëjnë këtë tashmë."

Viti 2020 është viti kur Kina është zotuar ta fitojë plotësisht betejën kundër varfërisë. Sipas të dhënave, Kina ka nxjerrë nga varfëria mbi 13 milionë njerëz çdo vit për gjashtë vjet rresht, duke kontribuuar me mbi 70% të pakësimit të varfërisë globale dhe mund të arrijë shfarosjen e plotë të varfërisë absolute brenda vitit, duke përmbushur objektivin e parë të OKB-së 10 vjet para afatit. Lidhur me rezultatet e arritura nga Kina për uljen e varfërisë, Matteo Marchisio, përfaqësuesi i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor në Kinë pranë OKB-së foli me shumë superlativa.

Lidhur me bashkëpunimin Jug-Jug, zv-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Fabrizio Hawkschild vuri në dukje se përveç zhdukjes së varfërisë, Kina po ndihmon vendet e tjera në zhvillim të dalin nga varfëria. Kina po luan një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin Jug-Jug.

"Mendoj se Kina po bëhet ofruese e fondeve të planit të zhvillimit të drejtuar nga OKB-ja, që është shumë e rëndësishme për zhdukjen e varfërisë. Sigurisht, Kina është edhe një kampione botërore e bashkëpunimit Jug-Jug, që është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e rajoneve të tjera." (Çang Çuo/Albana)