Të premten, Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi librin e bardhë "30 vjet të trupave kineze në veprimtarinë paqeruajtëse të OKB-së".

Sipas këtij dokumenti, trupat kineze janë një forcë kyçe për veprimtarinë paqeruajtëse të OKB-së. Ushtarët paqeruajtës kinezë kanë qenë me misione në mbi 20 vende dhe rajone, si Kamboxhia, Kongoja (Kinshasa), Liberia, Sudani, Libani, Qiproja, Sudani Jugor, Mali dhe Afrika e Jugut. Ato kanë bërë përpjekje të rëndësishme për nxitjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore dhe për ruajtjen e qëndrueshmërisë e forcimin e zhvillimit ekonomik-shoqëror në vendet e rajonet ku kanë shkuar.

Libri i bardhë vë në dukje se Kina ka përfunduar krijimin e forcës së gatshme paqeruajtëse, ka dërguar më shumë staf për të marrë pjesë në veprimet paqeruajtëse të OKB-së, ka kryer detyrën e trajnimit të paqeruajtësve nga vende të ndryshme dhe ka ofruar ndihma ushtarake falas për Bashkimin Afrikan. Kina ka dërguar gjithashtu me mision njësinë e parë të helikopterëve paqeruajtës dhe ka krijuar fondin e paqes dhe të zhvillimit Kinë-OKB për të përkrahur veprimtaritë paqeruajtëse të OKB-së.

Në librin e bardhë theksohet gjithashtu se trupat paqeruajtëse të Kinës shërbejnë për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Kina do të vazhdojë të luajë rolin e vet si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, do të ngulë këmbë me vendosmëri për të marrë pjesë në veprimtarinë paqeruajtëse, do të reagojë aktivisht ndaj nismës së OKB-së "Veprim për ruajtjen e paqes" dhe do të përkrahë zhvillimin e reformës së nevojshme e të arsyeshme për misionet paqeruajtëse të OKB-së, duke dhënë kontribut për të ndërtuar një botë me paqe të përhershme, siguri të përgjithshme e lulëzim të përbashkët, si edhe të hapur, përfshirëse, të pastër dhe të bukur. (Fang Xiaoyu)