"Ftohtësia e madhe" bie zakonisht afër datës 20 janar dhe në vitin 2023 rastisi pikërisht më 20 janar. Sipas vrojtimeve meteorologjike vitet e fundit, në shumicën e krahinave kineze "Ftohtësia e vogël" është më e ftohtë se "Ftohtësia e madhe". Ndërsa në disa vite të veçanta dhe në një pjesë rajonesh bregdetare, temperatura më e ulët qëllon në fazën "Ftohtësia e madhe". Gjatë kësaj periudhe, në shumicën e viseve të Kinës Jugore temperatura mesatare është nga 6 deri në 8 gradë, një gradë më e lartë se në "Ftohtësinë e vogël". Një proverb thotë: "Gjatë fazave 'Ftohtësia e vogël' e 'Ftohtësia e madhe', mbrohu nga të ftohtët". Ky proverb tregon se edhe "Ftohtësia e madhe" është një periudhë e ftohtë e vitit. Prandaj duhet të vazhdojmë punët e mbrojtjes së produkteve bujqësore nga i ftohti, veçanërisht të mbrojtjes së kafshëve shtëpiake gjatë dimrit.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në një vjershë klasike thuhet: "Edhe një vit tjetër përfundon në mes të fishekzjarrëve". Viti i Ri Kinez, që quhet edhe Festa e Pranverës, bie shpeshherë në fazën "Ftohtësia e madhe". Siç kemi thënë edhe më parë, meqë Kina është një vend me territor të gjerë, moti në viset e ndryshme të saj ndryshon shumë. Gjatë ditëve të Festës së Pranverës, ndërsa banorët në qytetin Harbin të Kinës Verilindore admirojnë fenerët e akullit, qytetarët e Guangzhou-t të Kinës Jugore janë duke vizituar tregun e luleve të freskëta.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

"Ftohtësia e madhe" është e fundit ndër 24 fazat stinore. Megjithëse temperatura është e ulët, kjo fazë i afrohet më tej pranverës. Në këtë kohë kinezët fillojnë të ruajnë ushqime në shëllirë dhe blejnë mallra të ndryshme për të festuar Vitin e Ri Kinez. Gjatë "Ftohtësisë së madhe" ka një festë tjetër shumë të rëndësishme për Kinën Veriore, e cila quhet "Laba" dhe kremtohet në ditën e 8-të të muajit të 12-të sipas kalendarit bujqësor. Në këtë ditë kinezët përdorin kokrra drithërash të ndryshme, kikirikë, gështenja, hide të kuqe, fara lotusi etj. për të bërë një lloj çorbe të shijshme, që quhet çorba e "Laba"-së. Ky është ushqimi kryesor në këtë ditë feste.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Dimri është koha e fjetjes së disa qenieve të gjalla dhe në këtë kohë metabolizmi i organizmit të njeriut është i ngadalshëm, prandaj duhet të flemë më herët, të ngrihemi më vonë, të mos jemi shumë të zënë me punë dhe të shmangim shqetësimin e zemërimin. "Ftohtësia e madhe" është faza e fundit e gjithë vitit dhe e gjashta ndër fazat stinore të dimrit. Meqë moti në këtë fazë është shumë i ftohtë, pika kryesore e ruajtjes së shëndetit është "fshehja", e cila do të thotë që njeriu të kontrollojë aktivitetet e veta shpirtërore, të ruajë qetësinë shpirtërore dhe të fshehë ndjenjat e veta e të mos i shprehë lehtazi ato. Këto veprime na ndihmojnë për kalimin e dimrit në mënyrë të shëndetshme. (Shy Guan)