"Ftohtësia e vogël" nis më 5 ose 6 janar sipas kalendarit ndërkombëtar dhe në vitin 2023 bie më 5 janar. Ashtu si "Ftohtësia e madhe", "Nxehtësia e vogël", "Nxehtësia e madhe" dhe "Përfundimi i nxehtësisë", edhe "Ftohtësia e vogël" simbolizon ndryshimin e temperaturës. "Ftohtësia e vogël" na paralajmëron se, gjatë kësaj faze, temperatura është shumë e ulët. Në shumicën e krahinave kineze, periudha midis "Ftohtësisë së vogël" dhe "Ftohtësisë së madhe" është koha më e ftohtë gjatë një viti. Për hemisferën veriore, "Solstici i dimrit" është dita me ndriçimin më të paktë të diellit, ndërsa energjia e nxehtësisë e mbledhur në tokë nuk pakësohet në nivelin më të ulët. Prandaj, "Solstici i dimrit" nuk është dita me temperaturën më të ftohtë. Pas "Solsticit të dimrit", drita e diellit në Tokë fillon të lëvizë drejt veriut, por çdo ditë energjia e nxehtë e thithur nga toka është më e paktë se ajo e shpërndarë. Si rezultat, temperatura ulet më tej. Në fazën "Ftohtësia e vogël", temperatura është më e ulët se në "Solsticin e dimrit". Deri në fazën "Ftohtësia e madhe", faza e fundit stinore sipas kalendarit bujqësor, temperatura në shumë vise kineze arrin në pikën më të ulët.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Kinezët e lashtë kanë zbuluar këto dukuri natyrore gjatë fazës "Ftohtësia e vogël": së pari, patat e egra fillojnë shtegtimin drejt veriut; së dyti, laraskat fillojnë të ngrenë fole. Kinezët e lashtë ishin të mendimit se patat e egra udhëtojnë sipas ndryshimit midis "frymës pozitive" dhe "frymës negative". Në këtë periudhë, "fryma pozitive" nis të forcohet, prandaj patat e egra fillojnë shtegtimin drejt veriut. Gjatë kësaj faze, në viset veriore të Kinës mund të shikojmë kudo laraska, të cilat ndiejnë forcimin e "frymës pozitive" dhe fillojnë të ngrenë fole.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Sipas mjekësisë kineze, ftohtësia mund të sjellë dëme. Gjatë fazës "Ftohtësia e vogël" me më shumë elemente negative, duhet t'i kushtojmë vëmendje ngrënies së ushqimeve të ngrohta për të mbrojtur trupin nga sulmi i ajrit të ftohtë. Në dietën e përditshme, kinezët parapëlqejnë të hanë mish qengji, mish pule, mish viçi etj. Supa me mish qengji është më e preferuara dhe më e përhapura në dietën e kinezëve në këtë periudhë.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Përveç ngrënies së ushqimeve me karakter të ngrohtë, shtimi i kalitjes fizike është metoda më e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit gjatë dimrit. Një proverb popullor thotë se "lëvizjet me zell në dimër largojnë sëmundjet; përtacët në dimër pinë më shumë ilaçe." Prandaj në dimër sportet e forcojnë më shumë shëndetin. Ekspertët propozojnë që të ushtrojmë disa sporte të përshtatshme sipas gjendjes trupore dhe që kalitja fizike të zhvillohet më mirë pas daljes së diellit. (Shy Guan)