"Dëbora e madhe" bie zakonisht më 7 ose 8 dhjetor sipas kalendarit ndërkombëtar dhe në vitin 2022 rastisi më 7 dhjetor. Në librin e lashtë kinez "Shënime për 72 dukuri atmosferike", lidhur me këtë fazë stinore thuhet që "në këtë periudhë mund të ketë shumë reshje dëbore." Ky shpjegim na tregon që temperatura gjatë kësaj faze mund të jetë më e ulët dhe mund të bjerë më shumë dëborë në krahasim me fazën stinore "Dëbora e imët". Por ky shpjegim nuk do të thotë se sasia e reshjeve të dëborës me siguri do të jetë shumë e madhe. Përkundrazi, pas fillimit të fazës stinore "Dëbora e madhe", sasia e reshjeve të dëborës në disa krahina të Kinës pakësohet. Por, për shkak të uljes së temperaturës në këtë periudhë, dëbora nuk shkrin shpejt dhe mund të mbulojë tërësisht sipërfaqen e tokës. Një proverb kinez thotë: "Dëbora e volitshme parashikon një vit me korrje të bollshme". Në saje të dëborës së mbetur mbi tokë e rreth bimëve bujqësore, temperatura nuk ulet më tej dhe kjo gjë është shumë e dobishme për bimët bujqësore gjatë dimrit. Shkrirja e borës ofron ujë të mjaftueshëm për rritjen e bimëve bujqësore në pranverën e ardhshme. Përveç kësaj, uji nga shkrirja e borës përmban më shumë nitrat në krahasim me ujin e shiut. Prandaj uji i dëborës mund të luajë rol në plehërimin e bimëve.
[Foto: VCG]
Pas "Dëborës së madhe", në krahinat veriore të Kinës temperatura ulet mjaft dhe bie më shumë dëborë. Era e fortë pas dëborës mund të shkaktojë shtimin e rasteve të ftohjes te njerëzit. Disa lloje sëmundjesh kanë lidhje të ngushtë me moskujdesin e njerëzve për ruajtjen e ngrohtësisë. Mjekësia kineze është e mendimit se koka, gjoksi dhe këmbët sulmohen më lehtë nga të ftohtët. Një fjalë e urtë thotë se "ftohtësia fillon nga këmbët". Meqë këmbët janë më larg nga zemra, qarkullimi i gjakut në këtë pjesë është më i ngadalshëm dhe yndyra nën lëkurën e këmbëve është relativisht e paktë, kjo pjesë e organizmit të njeriut është më e prekshme nga të ftohtët. Për të parandaluar ftohjen e këmbëve, duhet t'i mbajmë ato të pastra dhe të thata, prandaj duhet t'i lajmë e t'i ndërrojmë më shpesh çorapet. Në këtë fazë stinore duhet të këmbëngulim në larjen e këmbëve me ujë të ngrohtë dhe të ecim më këmbë së paku çdo ditë për gjysmë orë. Përveç kësaj, një palë çorape të rehatshme dhe të ngrohta në dimër janë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit.
[Foto: VCG]
Gjatë kësaj faze me temperaturë të ulët, disa të moshuarve u pëlqen të flenë të veshur trashë, por ky zakon është i padobishëm për shëndetin. Gjatë kohës së gjumit, truri dhe muskujt e njeriut hyjnë në gjendjen e pushimit dhe ritmi i rrahjes së zemrës ngadalësohet, ndaj fjetja zhveshur ngre cilësinë e gjumit dhe garanton pushimin e mirë të organizmit. Në të kundërt, veshja trashë pengon "frymëmarrjen" normale të lëkurës dhe avullimin e djersës; fërkimi dhe presioni i rrobave ndaj muskujve mund të pengojnë qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar humbjen e ngrohtësisë së trupit. Si pasojë, njeriu ndien të ftohtë, edhe sikur të flejë me një jorgan shumë të trashë. (Shy Guan)
[Foto: VCG]