"Dëbora e imët", që fillon nga 22 ose 23 nëntori dhe përfundon më 6, 7 ose 8 dhjetor sipas kalendarit ndërkombëtar, është faza e parë që ka lidhje me dëborën. Në vitin 2022 "Dëbora e imët" fillon më 22 nëntor. Me ardhjen e fazës stinore të "Dëborës së imët", temperatura vazhdon të ulet dhe reshjet e shiut shndërrohen në reshje dëbore. Ashtu si fazat stinore "Uji i shiut", "Shiu i drithit" etj., edhe "Dëbora e imët" pasqyron sasinë e reshjeve. Gjatë kësaj faze bie dëborë e lehtë që shkrin shumë shpejt dhe që nuk qëndron në tokë. Në librin e lashtë kinez "Shënime për bimët" thuhet se gjatë fazës "Dëbora e imët" temperatura ulet dhe fillon të bjerë dëborë e lehtë.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Meqë Kina është një vend me territor të gjerë, termi "Dëbora e imët" tregon vetëm gjendjen meteorologjike në rajonet e rrjedhës së mesme dhe të rrjedhës së poshtme të Lumit të Verdhë. Në këtë fazë lumenjtë në krahinat veriore të Kinës fillojnë të ngrijnë dhe kudo shihet pamja e fillimit të dimrit.

Gjatë fazës "Dëbora e imët" moti është shpeshherë i vrenjtur, gjë që mund të ndikojë mbi gjendjen shpirtërore të njeriut, duke shkaktuar depresion. Prandaj duhet të rregullojmë gjendjen psikike, të mbajmë një qëndrim optimist dhe të marrim pjesë në veprimtaritë në natyrë për të forcuar shëndetin. Ngrohja në diell dhe dëgjimi i muzikës janë mënyra shumë të përshtatshme për rregullimin e gjendjes psikologjike. Mjeku i njohur kinez i dinastisë Qing (vitet 1636 - 1911) Wu Shang thoshte: "Sëmundjet psikike mund të shërohen nëpërmjet shikimit të luleve ose dëgjimit të muzikës, madje këto japin efekt më të mirë se barnat."

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Teoria e mjekësisë tradicionale kineze i kushton rëndësi të madhe rolit të rrezeve të diellit në shëndetin e njeriut. Sipas kësaj teorie, ngrohja në diell mund të shtojë "frymën pozitive" të organizmit të njeriut. Në dimër "fryma pozitive" e natyrës pakësohet dhe "fryma negative" shtohet. Njeriu duhet të veprojë sipas ligjit të ndryshimit të natyrës dhe ngrohja në diell është mënyra më e përshtatshme për shëndetësimin e njeriut. Përveç kësaj, në jetën e përditshme duhet të vishemi më trashë për të parandaluar ftohjen.

Lidhur me ushqimin, mjekësia tradicionale kineze thekson se ushqimi racional mund të sjellë dobi të madhe për shëndetin dhe për jetëgjatësinë, kurse ushqimi joracional mund të shkaktojë sëmundje dhe plakje të parakohshme. Gjatë kësaj faze duhet të hamë më shumë ushqime me ngjyrë të zezë, si orizi i zi, susami i zi, batha e zezë etj. Këto ushqime "të zeza" mund të ndihmojnë veshkat, të rregullojnë funksionet fiziologjike të njeriut dhe të luajnë rol në ruajtjen e bukurisë së fytyrës dhe për flokët.

Përveç kësaj, supat e ndryshme të nxehta janë ushqimet më të përshtatshme për këtë fazë stinore. Tani do t'ju sugjerojmë disa lloje supash të preferuara gjatë kësaj faze:

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Së pari, supa me bërxollë derri. Kjo supë është e pasur në proteina, yndyrë, vitamina dhe kalcium. Ajo bën mirë për rritjen e fëmijëve dhe për ngadalësimin e plakjes së të moshuarve. Në këtë supë mund të hidhen disa copa kungulli, leshterikë deti dhe rrënjë lotusi, të cilat mund të shuajnë nxehtësinë e brendshme të organizmit të njeriut.

Së dyti, supa me mish pule. Kjo supë mund të lehtësojë vuajtjet nga gripi dhe të përmirësojë imunitetin.

Së treti, supa me peshk, që mund të shtojë oreksin dhe të pakësojë trysninë psikologjike. (Shy Guan)