"Rënia e brymës" qëllon zakonisht më 23 ose 24 tetor sipas kalendarit ndërkombëtar dhe në vitin 2022 bie më 23 tetor. "Rënia e brymës" është faza e fundit stinore e vjeshtës. Sipas shënimeve të vjetarit, kjo fazë simbolizon ftohjen e motit dhe shndërrimin e ujit të vesës në brymë. Sigurisht, formimi i brymës do temperaturë dhe lagështi të përshtatshme. Vesa shndërrohet në brymë vetëm në kohën kur temperatura ulet nën zero dhe ka avuj uji të mjaftueshëm në ajër.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Gjatë fazës stinore "Rënia e brymës", temperatura në mëngjes dhe në mbrëmje është relativisht e ulët. Në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, provincën Qinghai dhe krahina të tjera të Kinës Veriperëndimore fillon të bjerë borë dhe temperatura minimale natën në shumë zona të Kinës i afrohet zeros. Perimet e mbjella jashtë serrave mund të dëmtohen nga bryma dhe, siç thotë një proverb: "Rënia e brymës vret qindra lloje bimësh". Ky proverb shpjegon saktë dëmet që sjell bryma. Prandaj, pas fillimit të fazës "Rënia e brymës", fshatarët i kushtojnë vëmendje të madhe mbrojtjes nga dëmet e saj.


[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Sipas mjekësisë tradicionale kineze, përdorimi i ushqimeve me shumë kalori në fillim të vjeshtës bën shumë mirë për shëndetin, sepse organizmi i njeriut ka nevojë për më shumë kalori me ftohjen e motit. Kurse kur vjen dimri i ashpër, përdorimi i ushqimeve kalorike, si mishi i viçit e mishi i qengjit, shkakton grumbullimin e kalorive të tepërta në organizmin e njeriut, duke prishur ekuilibrin ndërmjet tij dhe natyrës. Një proverb thotë se "Dieta e fortë bën më mirë në 'Rënien e brymës' sesa në dimër". Ky proverb na këshillon që, gjatë fazës stinore "Rënia e brymës", kur temperatura është e përshtatshme, të përdorim më shumë ushqime të dietës së fortë për ruajtjen e shëndetit. Ushqimi më i pëlqyer në dietën e njerëzve është supa me mish qengji. Kinezët përdorin enën e qeramikës bao për gatimin e supës me mish qengji. Kjo supë gatuhet me zjarr të ngadalshëm dhe për një kohë të gjatë, duke futur në enë ujë, mish qengji, xhenxhefil, hide etj.


[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në Kinën e lashtë, dita e fillimit të fazës stinore "Rënia e brymës" ishte edhe një ditë tjetër për pastrimin e varreve të paraardhësve, përveç ditës së "Shkëlqimit të pastër", që bie në hyrje të prillit. Në ditën e fillimit të "Rënies së brymës", banorët shkojnë te varret e paraardhësve për t'u përkulur me nderim. Por ky zakon nuk është i përhapur tani gjerësisht në të gjitha krahinat. Përveç kësaj, në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore është ruajtur edhe një zakon tjetër festimi në fazën e "Rënies së brymës". Ky është konkursi i këngëve malësore. Rajoni Guangxi-Zhuang njihet si vendlindja e këngëve malësore kineze. Në disa konte të këtij rajoni, nëntë ditët e para që nga fillimi i fazës "Rënia e brymës" janë përcaktuar si "Festa e rënies së brymës". Në ditët e kësaj feste banorët këndojnë me gëzim këngë malësore dhe u bien gongeve e daulleve, duke shprehur gëzimin e tyre për korrjet e bollshme e për jetën e lumtur. Kjo gjë krijon një tablo shumë të gëzueshme.