"Vesa e ftohtë" bie zakonisht më 8 ose 9 tetor, dhe sivjet është më 8 tetor. Ajo, së bashku me "Vesën e bardhë", që është faza e 17-të stinore, kanë lidhje të ngushtë me dukurinë natyrore të vesës. Gjatë "Vesës së bardhë", për shkak të uljes së temperaturës natën, avujt e ujit lëngëzohen dhe shndërrohen në vesë, që duket e bardhë. Kurse në "Vesën e ftohtë", temperatura ulet më tej dhe më shumë avuj uji lëngëzohen në vesë. Gjatë kësaj faze, në shumë zona të Kinës temperatura mesatare ditën arrin nën 20 gradë. Por në disa vise të Kinës Verilindore dhe Veriperëndimore temperatura minimale ditën bie nën 8 gradë dhe natën bën mjaft ftohtë.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Pas fazës "Vesa e ftohtë", në shumicën e viseve të Kinës mbaron stina e shirave, ajri bëhet shumë i pastër dhe qielli duket mjaft i kaltër për një kohë të gjatë. Ngrohtësia ditën dhe freskia natën janë shumë të dobishme për korrjen e misrit, melit e drithërave të tjera, si edhe për vjeljen e pambukut. Një proverb thotë: "Nëse nuk e vjel pambukun në 'Vesën e ftohtë', s’ke përse të fajësosh brymën". Ky proverb paralajmëron që pambuku duhet vjelë në kohën e përshtatshme, përndryshe ka rrezik të dëmtohet nga bryma pas fazës "Vesa e ftohtë".

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Faza stinore "Vesa e ftohtë" është një periudhë e përshtatshme për ekskursionet e vjeshtës. Ajo është afër "Nëntës së dyfishtë", një festë tradicionale kineze, që do të thotë festa e "ditës së 9-të të muajit të 9-të" sipas kalendarit bujqësor kinez. Në Kinë ka ekzistuar gjithmonë zakoni i shprehjes së respektit ndaj të moshuarve dhe i ngjitjes në lartësi në këtë ditë feste. Në vitin 1989 qeveria kineze e përcaktoi këtë ditë si "Festa e të moshuarve". Në këtë ditë njerëzit e moshuar në rajonet e ndryshme të Kinës organizojnë ngjitje në mal ose ekskursione vjeshte, me qëllim që të kenë rastin të takohen me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë ndjenjat e mendimet e tyre dhe të forcojnë shëndetin.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Tani le të kthehemi në çështjen e ruajtjes së shëndetit. Sipas mjekësisë tradicionale kineze, qysh nga faza "Vesa e ftohtë" fillon të rrallohet rënia e shiut, moti bëhet i thatë dhe temperatura ngrihet ditën e ulet natën. Gjatë kësaj periudhe djersa në trupin e njeriut avullon shumë shpejt. Moti në këtë stinë mund të shkaktojë tharjen e lëkurës, shtimin e rrudhave, etjen dhe rënien e flokëve. Prandaj, më e rëndësishmja për ruajtjen e shëndetit është mbrojtja nga thatësia. Për sa i përket ushqimit, duhet të hamë më pak ushqime djegëse ose ushqime të tymosura e të pjekura. Mund të përdorim më shumë susamin, arrën, rrepën, domaten, rrënjët e lotusit, qumështin, liliumin, dardhën, bananen, pjeprin etj. Gjatë kësaj kohe duhet të ruhet lagështia brenda shtëpisë e të shmangen sportet e rënda dhe lodhja jashtë mase. Për shkak të ndryshimit të temperaturës ndërmjet ditës dhe natës, gjatë kësaj faze mund të përhapen sëmundjet e organeve të frymëmarrjes dhe të tretjes. Njerëzit e moshuar duhet të jenë vigjilentë edhe ndaj disa sëmundjeve të zakonshme, siç janë gripi, diarreja etj.