"Sanatadita e vjeshtës", një term që simbolizon ndryshimin e stinëve, bie zakonisht më 23 ose 24 shtator sipas kalendarit ndërkombëtar, dhe sivjet rastis më 23 shtator. Sipas kalendarit tradicional kinez, "Sanatadita e vjeshtës" ndodhet mu midis "Fillimit të vjeshtës" dhe "Fillimit të dimrit", domethënë pikërisht në mes të 90 ditëve të vjeshtës. Prandaj, "Sanatadita e vjeshtës", që quhet në gjuhën kineze "qiu fen", ka kuptimin "ndarja e vjeshtës". Që nga "Sanatadita e vjeshtës", dita fillon të shkurtohet, kurse nata zgjatet. Në "Sanataditën e pranverës" dielli ndriçon pingul ekuatorin e Tokës dhe dita është e barabartë me natën. Po kështu, edhe në "Sanataditën e vjeshtës", dielli bie pingul mbi ekuator dhe dita është e barabartë me natën.
[Foto: VCG]
Meqë Kina ndodhet në hemisferën veriore, pas "Sanataditës së vjeshtës" rrezatimi pingul i diellit lëviz drejt jugut, prandaj në shumicën e krahinave kineze rrezet pingule diellore pakësohen dhe temperatura ulet gjithnjë e më shumë. Në disa zona të Kinës Verilindore rënia e brymës pas "Sanataditës së vjeshtës" nuk është gjë e çuditshme. Kurse për shumicën e viseve kineze kjo kohë është e përshtatshme për turizëm, sepse, sapo përfundon stina e shirave, fillon të fryjë flladi i vjeshtës dhe dielli ndriçon i ngrohtë.
[Foto: VCG]
Në Kinën e lashtë organizoheshin një sërë veprimtarish festive në fazën "Sanatadita e vjeshtës", për të uruar korrje të bollshme. Ndër këto veprimtari, ceremonia e lutjes hënës është më e rëndësishmja. Sipas shënimeve historike, qysh në kohën e dinastisë Zhou (vitet 1046 —256 para erës sonë), mbretërit kinezë i luteshin diellit në "Sanataditën e pranverës", tokës në "Solsticin e verës", hënës në "Sanataditën e vjeshtës" dhe qiellit në "Solsticin e dimrit". Vendet për lutje quheshin Tempulli i Diellit, Tempulli i Tokës, Tempulli i Hënës dhe Tempulli i Qiellit, të cilët ndodheshin përkatësisht në lindje, jug, perëndim dhe veri të kryeqytetit të atëhershëm. Edhe tani në Pekin ruhen katër tempuj të tillë, që janë bërë katër parqe me emrat "Ritan", "Yuetan", "Tiantan" dhe "Ditan", që duan të thonë përkatësisht Tempulli i Diellit, Tempulli i Hënës, Tempulli i Qiellit dhe Tempulli i Tokës. Aktiviteti i lutjes hënës është shndërruar në Festën e Hënës, e cila bie në ditën e 15-të të muajit të 8-të sipas kalendarit bujqësor kinez, që është dita e parë me hënë të plotë pas fillimit të "Sanataditës së vjeshtës".
[Foto: VCG]
Festa e Mesvjeshtës është festa e dytë e rëndësishme tradicionale kineze, pas Vitit të Ri Kinez, që quhet Festa e Pranverës. Festa e Mesvjeshtës vlerësohet edhe si "festa e çmalljes me të afërmit". Në këtë ditë, të gjithë anëtarët e familjes mblidhen në shtëpi për t'u çmallur me njëri-tjetrin dhe për të uruar mbarësi e lumturi. Veprimtaritë kryesore në këtë ditë feste janë shijimi i bukurisë së hënës së plotë dhe i "kekut të hënës", një lloj ëmbëlsire e rrumbullakët si hëna e plotë. Kjo ëmbëlsirë gatuhet me një mjeshtëri të veçantë. Brenda futen fruta të grira dhe nga jashtë mbështillet me miell. Me rastin e Festës së Mesvjeshtës, të gjithë anëtarët e familjes të mbledhur së bashku shijojnë jo vetëm "kekun e hënës" dhe fruta të ndryshme të freskëta, por edhe bukurinë e hënës së ndritur dhe të luleve të vjeshtës. Në këtë çast, ndjenjat familjare dhe panorama e bukur përzihen së bashku. Në kohën e sotme, "Festa e Mesvjeshtës" është përfshirë në listën e trashëgimive jomateriale kombëtare të Kinës. Ajo është festë tradicionale jo vetëm për shtetasit kinezë, por edhe për njerëzit me prejardhje kineze në gjithë botën. Kanë ndryshuar koha dhe mjedisi, por nuk ka ndryshuar zakoni i kinezëve për të shfaqur mallin dhe për të shprehur urimet në ditën e Festës së Mesvjeshtës.